Lezhë/ U shpenzuan 13 milionë euro për ujësjellësin dhe kanalizimet, sot lumi Drin kthehet në vend që depoziton plehra

20/08/2021 12:48

Mbeturinat gjenden ngado në qytetin e Lezhës, por më shumë hidhen në lumin Drin që përshkon mes për mes qytetin dhe përroin e Grykë-Manatisë që e përshkon qytetin nga Manatia e deri sa derdhet në Lumin Drin.

Në Lumin Drin nga kolektorët derdhen ujërat e zeza të qytetit dhe fabrikës së zorrëve që nga lagjia “Skënderbeg”  e deri tek “Ura e Genit”. Po ashtu edhe përroi i Grykë-Manatisë që e përshkon qytetin në të gjithë gjatësinë e tij që nga Manatia e deri sa derdhet në Lumin Drin është kthyer në një vend depozitimi mbeturinash dhe të ujërave të zeza.

Qytetarët bashkëjetojnë çdo ditë me këto mbeturina dhe aromën e ujërave të zeza gjatë gjithë verës. Lumi Drin dhe përroi i Grykë-Manatisë gjatë muajve të nxehtë të vitit kthehen në kanale të ujërave të zeza dhe vendgrumbullim plehrash të qytetit.

Kujtojmë se qeveria gjermane, ajo zvicerane së bashku me atë shqiptare kanë shpenzuar më shumë se 13 milionë euro për ujësjellësin e Lezhës dhe kanalizimet. Sipas projektit që nga pranvera e vitit 2017 nuk do të derdhej asnjë pikë nga ujërat e zeza, as në Lumin Drin dhe as në përroin e Grykë-Manatisë, por do të grumbulloheshin për tu përpunuar me teknologji bashkëkohore në Knallë, mes Lezhës dhe Shëngjinit.

Po ashtu qeveria zvicerane, verën e shkuar ka ndarë një fond prej rreth 4 milionë eurosh të tjera për largimin e ujërave të zeza nga lumenjtë dhe bregdeti i Shëngjinit pasi edhe atje ende derdhen në rërën e detit.

Marrëveshja është nënshkruar verën e kaluar në zyrat e Bashkisë Lezhë mes kryebashkiakut Pjerin Ndreu dhe ambasadorit të Konfederatës zvicerane në Shqipëri, Adrian Maitre në prani të ish-ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Edhe pse ka kaluar plot një vit nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, ende nuk ka nisur puna në teren.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA