Ish zëvendësministri i Integrimit e më pas i shëndetësisë Albert Gajo është arrestuar nga policia e Kolonjës me akuzën e shkatërrimit me zjarr të një sipërfaqe të madhe me vreshta por edhe pyll dhe shkurre.
Gajo, 59 vjeç nga Tirana prej kohës ka krijuar në zonën e Sarandapori pranë Leskovikut një vreshtë. Ai ndodhej në zonë për shkak se është momenti i vjeljes. Për të penguar zogjtë që dëmtojnë prodhimin e vreshtit në mes të tij janë ndezur zjarre apo janë hedhur kapsolle plasëse për të trembur shpendët.
Burimet i thanë Top Channel se pas këtij procesi Gajo ishte larguar drejt qytetit të Përmetit ku edhe qëndronte dhe në zonë ka qenë një rojë. Në vatër zjarri nuk është vënë re nga askush dhe për pasojë flakët janë ndezur dhe janë bërë aq të forta sa kanë shkatërruar pjesën më të madhe të vreshtit dhe bimësinë pranë. Policia e kolonjës ka hetuar dhe ka arrestuar shtetasin Albert Gajo.
Top Channel