Paris Saint Germain ka bërë një fushatë afrimesh shumë të bujshme në merkato, duke sjellë në ekip emra si Ramos, Donnarumma, Hakimi, Wijnaldum dhe “qershinë mbi tortë”, Lionel Messin, i cili firmosi pak ditë më parë.
Trajneri Maurizio Pochettino pranoi se bashkatdhetari i tij ka shtuar ndjeshëm entuziazmin në grupin që ai stërvit, teksa u shpreh se misioni i tij tashmë është që të krijojë një skuadër me yjet që ka në dispozicion.
“Messi ka rritur ndjeshëm entuziazmin dhe ka shtuar energjitë pozitive në mjedis e ekip. Përpara na pret një sfidë e madhe, pasi duhet të transformojmë emrat e mëdhenj që kemi në ekip, në një skuadër të madhe, që luan në mënyrë të organizuar e disiplinuar. Një sfidë e madhe, por që besoj se do t’ia dalim me sukses”, u shpreh trajneri argjentinas.
Ndonëse Messi ka nisur tashmë stërvitjen me ekipin e ri, trajneri Pochettino pranon se për ta parë 6 herë fituesin e Topit të Artë në fushën e lojës, do të duhen të priten edhe disa javë, teksa një situatë e ngjashme është edhe me mbrojtësin Sergio Ramos.
“Messi ka nisur stërvitjen, por duhet që hap pas hapi të përshtatet me skuadrën dhe në të njëjtën kohë të përmirësojë parametrat fizikë, pasi vjen pas pushimeve. Nuk besoj se do ta shohim në fushë para fundit të gushtit. Sa i përket Ramos, ka një dëmtim që nuk po e lejon të stërvitet me intensitet të plotë, ndaj besoj se vetëm pas ndërprerjes në shtator, do të jetë gati të japë kontributin e tij”, tha Pochettino.
PSG e nisi sezonin me një fitore 1-2 në transfertë ndaj Troyes, ndërsa mbrëmjen e sotme do të përballet me Strasbourgun në “Parc des Princes”, në një sfidë ku krahas Messit e Ramos, mund të mungojnë edhe emra si Di Maria, Verratti, Marquinhos, e Neymar, të cilat janë rikthyer rishtazi në ekip.
Top Channel