FOTO/ Ja si i kishin gërshetuar çarçafët Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri për t’u arratisur nga burgu

09/08/2021 13:21

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar fotografitë e çarçafëve të gërshetuar nga Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, të cilët ditën e djeshme tentuan të arratiseshin nga burgu 313, por përpjekja dështoi.

Pak orë pas tentativës për arratisje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve urdhëroi nisjen e kontrolleve për rivlerësimin e kushteve të sigurisë edhe në disa burgje të tjera duke nisur nga plani i dështuar i Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit.

Të dy janë vënë në izolim sepse është ngritur ndaj tyre vepra e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit dhe kundërshtimi i policisë. Burime të sigurta të Top Channel tregojnë se po verifikohen nga shërbimi i kontrolleve të brendshëm të burgjeve në varësi të Ministri të Drejtësisë edhe veprimet e efektivëve të policisë, të cilët ishin në detyrë gjatë ditës së diel.

Dyshohet se ata e kanë neglizhuar detyrën pavarësisht se plani i arratisjes dështoi. Është konfirmuar e gjithë skema e arratisjes se dy të burgosurit ishin në tarracën e burgut 313, e cila është përshtatur si vend ajrimi, pra kati i fundit i 313, përveç fushës së sportit që është në katin përdhes është përshtatur për ajrim të të burgosurve.

Në këtë mënyrë mbetet e paqartë se si të burgosurit që ndodheshin në ajrim së bashku me të tjerë, nuk janë kontrolluar dhe se si e kanë transportuar çarçafin rreth 20 metra të gërshetuar apo nëse herë pas here, kanë vendosur dhe kanë krijuar çarçafin. Më tej, dy të burgosurit kanë zbritur nga kati i fundit me litar duke parë se hapësira më e ngushtë mes tarracës dhe tokës ishin shkallët e administratës dhe në këtë mënyrë kanë zbritur përmes shkallëve dhe çarçafëve në katin përdhes ku gjenden zyrat e administratës.

Ndërkohë distancave mes mureve të zyrave të administratës dhe qelitë është rreth 30 metra. Pikërisht në atë moment, kanë reaguar menjëherë efektivët e policisë të cilët janë të vendosur në hyrje të paraburgimit 313, ku dhe është goditur një nga oficerët dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Burime jozyrtare për Top Channel thonë se gjatë ditës së sotme është zhvilluar një mbledhje pranë drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Do të ketë sërish mbledhje të tjera pasi ka diskutime për të vendosur nëse do të pranojë Ministrja e Drejtësisë propozimin për ta çuar Arbër Çekajn në regjimin e ashpër 41 bis.

Kush është Fatmir Pjetri

Fatmir Pjetri, i njohur ndryshe me nofkën “Babagjyshi” u ekstradua në shtator të vitit 2019 nga Amsterdami/Holandë drejt vendit tonë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg  për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Përmbledhje e ngjarjeve të ndodhura:

Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Disa nga episodet:

Në datë 28.09.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit A. B., në Kuçovë;

Në datë 05.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit S. R., në Laç;

Në datë 25.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit P. B., në Fushë-Krujë;

Në datë 24.12.2013 është vjedhur me armë argjendaria në një qendër tregtare në Tiranë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hague, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Kush është Arbër Çekaj

Arbër Çekaj është dënuar me 14 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, ai është pronari “Arbën Garden”, magazinave brenda të cilave u kapën 613 kg kokainë rreth tre vite më parë. Ngarkesa e madhe e kokainës u dërgua nga Kolumbia dhe ishte e fshehur në pakot me banane.

Antidroga lejoi udhëtimin e ngarkesës deri në magazinën e kompanisë Arbri Garden që gjendej në Maminas ku dhe kreu ndërhyrjen në shkurt 2018 që solli me pas arrestimin në Gjermani dhe ekstradimin në Tiranë të Çekajt.

Teksa Çekaj ishte në burg, duket se biznesin e mbante gjallë i ati, Selim Cekaj, i cili u vu në pranga në prill të këtij viti. Në një kontejner të mbushur me banane që vinte nga Ekuadori u kapën 49 kg kokainë.

Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin Selim Çekajn, të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike kokainë.

Në vitin 2018, kur edhe u zbulua ngarkesa e parë dhe e konsiderueshme e fshehur në një kontejner me banane të porositur nga kompania e tyre Arberi Garden, Selim Çekaj ka përsëritur se edhe i biri është i pafajshëm.

Dosja për të moshuarin që mbas goditjes se djalit hapi një kompani tjetër për tregtinë e bananeve, u transferua nga prokuroria e Durrësit pranë SPAK.

FOTO GALERI
2/10
Litari i përdorur nga Çekaj dhe Pjetri për arratisje

Top Channel