Tjetër rekord botëror në 400 metra me pengesa, e vendos një amerikane

05/08/2021 00:13

Sydney McLaughlin përmirësoi rekordin e saj, duke fituar medaljen e artë në garën e 400 metrave me pengesa në Lojërat Olimpike të Tokios. Pas rekordit botëror dhe kohës fenomenale të regjistruar nga atleti i mirënjohur norvegjez Karsten Warholm, në garën më të shpejtë të 400 metrave me pengesa për meshkuj në historinë e kësaj disipline radhën për t’u kundërpërgjigjur e patën menjëherë femrat vetëm një ditë më pas. Ashtu si edhe me rivalitetin e dyshes Karsten Warholm–Rai Benjamin sa herë që përballen Sydney McLaughlin dhe atletja tjetër amerikane Dalilah Muhammad gjithmonë pritet të ndodhë vërtet diçka.

Dy atletet nga Shtetet e Bashkuara ndahen nga plot 10 vjet si moshë, megjithatë në vitet e fundit këto dy sportiste kanë zhvilluar gara shumë të mira, duke shtyrë përherë njëra–tjetrën në limit. Ashtu si te meshkujt në këtë kategori edhe gara e femrave në disiplinën e 400 metrave me pengesa ishte një ndër finalet e shumëpritura të Olimpiadës së 32-të, përsa i përket “mbretëreshës së sporteve”. Nga viti 2019 e këtej gara e 400 metrave me pengesa fitoi një vëmendje të veçantë pikërisht pas dy rekordeve botërore të njëpasnjëshme që regjistroi në harkun e vetëm 10 javëve Dalilah Mohammad.

31-vjecarja nga Queens-i fitoi bindshëm baterinë e saj dhe u kualifikua për në finale me kohën 53”30, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër triumfoi Sydney McLaughlin me kohën 53”03, sidoqoftë u kuptua qartë që të dyja këto atlete i ruajtën forcat për në finalen e madhe. Natyrisht favoritja kryesore për medaljen e artë konsiderohej Sydney McLaughlin, e cila theu rekordin botëror të kësaj disipline vetëm pesë javë e gjysmë më parë, në “trials”, provat e famshme të atletikës amerikane, që shërbejnë për të seleksionuar sportistet dhe ndezur dritën jeshile për tre atletet që fitojnë të drejtën, për të përfaqësuar kombëtaren e Shteteve të Bashkuara në aktivitetet e rëndësishme.

Më 27 qershor në Eugene, në Shtetin e Oregonit Sydney McLaughlin e ndali kronometrin në kohën 51”90, duke thyer rekordin botëror 2-vjecar të Dalilah Muhammad, me dicka më shumë se cerek sekonde, ndërsa këtë radhë në Stadiumin Olimpik të Tokios 21-vjecarja nga Neë Jersey fiksoi kohën e pabesueshme 51”46. Në finalen e Olimpiadës së Tokios McLaughlin u nis nga një pozicion qendror dhe shumë më i mirë, ndërsa atletja njujorkeze e filloi garën e saj nga korsia numër 7. Dalilah Muhammad startoi më mirë dhe udhëhoqi për pjesën më të madhe të garës.

Veterania nga Queens-i e ruajti epërsinë e saj edhe pas kthesës së fundit dhe Muhammad rrëfeu se kur po i afroheshin pjesës përmbyllëse pas pengesës së nëntë mendoi se do të ishte në gjendje për ta mbajtur pas rivalen e saj. Në fakt ndonëse ishte prapa bashkëkombases së saj në krahun tjetër McLaughlin shpjegoi se në atë kohë përpara se të hynte në pjesën e drejtë mendoi krejt të kundërtën dhe 21-vjecarja tregoi se u motivua që te pengesa e shtatë, duke e bindur veten se gara e vërtetë fillonte pikërisht në ato momente.

McLaughlin e barazoi atleten njujorkeze në pengesën e fundit dhe prej aty e deri në mbyllje rriti marshet për të sprintuar fuqishëm dhe kaluar vijën e finishit me kohën rekord 51”46, duke përmirësuar rekordin e saj botëror me afërsisht gjysmë sekonde. Dalilah Muhammad e mbylli aventurën e saj me kohën 51”58, duke përmirësuar natyrisht rekordin e saj personal, ndërsa medaljen e bronztë e meritoi 21-vjecarja holandeze Femke Bol, me kohën 52”03.

Mbeti fare jashtë podiumit në këtë mënyrë atletja nga Xhamajka Janieve Russell, që ndonëse regjistroi kohën më të shpejtë në karrierë përsëri e përfundoi garën një sekondë larg sportistes holandeze. Dalilah Muhammad ishte kampionia në fuqi, pasi në Rio de Janeiro pesë vjet më herët ajo triumfoi me kohën 53”13, gjithsesi me kohën fantastike 51”46 që regjistroi McLaughlin në “vendin e lindjes së diellit” shkon në plot katër numri i rekordeve botërore në garën e 400 metrave me pengesa në dy vitet e fundit.

Si progresion rekordi i Yulia Pechonkina-s rezistoi plot 16 vjet, duke patur parasysh që atletja e mirënjohur ruse e pati vendosur kohën 52”34 në 8 gushtin e vitit 2003 në Tula, në atdhe. Më pas Dalilah Muhammad e theu dy herë në vitin 2019 në dicka më tepër se dy muaj, respektivisht në Des Moines në Ioëa dhe Doha në Katar, përkatësisht me kohët 52”20 dhe 52”16, ndërkohë tani në harkun e vetëm pesë javëve e gjysmë Sydney McLaughlin që do të festojë 22-vjetorin e saj pikërisht ditën e shtunë ia doli për të shënuar dy herë emrin e saj në librin e rekordeve, me kohët fantastike 51”90 dhe 51”46, të regjistruara pra në Eugene dhe Tokyo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA