Teuta vijon me rezultatet pozitive në Abissnet Superiore. Në Niko Dovana të Durrësit, skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova mundi Vorën me rezultatin 2-0 duke regjistruar fitoren e tretë radhazi pas 4 javëve të para kampionat.

Teuta mori iniciativën në këtë ndeshje që në minutat e para teksa u shfaq rrezikshëm me Boçin që në minutën e parë. Po ky futbollist tentoi në minutën e 20 me një gjuajtje nga distanca por pa u treguar i saktë. Më pas ishte Mala që tentoi por Dalipi largoi topin nga pranë vijës së portës. Në minutën e 30 ishte Vora që fitoi një 11 metërsh, por arbitri pasi e pa në sistemin VAR e ktheu vendimin e tij, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë, Teuta arriti të zhbllokojë rezultatin me Umejiego dhe me avantazhin 1-0 të skuadrës durrsake u mbyll pjesa e parë.

Në fillimin e pjesës së dytë, Vora bëri tentativat e saj me Karrican dhe Bajramaj por pa sukses, ndërsa Teuta u kundërpërgjigj me Umejiego, por edhe ky nuk mundi të shënojë. Në minutën e 88 Teuta fitoi një 11 metërsh por që nuk u pa në monitor pasi pati një shkëputje të energjisë në stadium. Pas 5 minutash energjia u rikthye dhe Pedro Martelo shënoi nga pika e bardhë për të vulosur fitoren 2-0 të Teutës që në këtë mënyrë merr për momentin kreun e klasifikimit.

Top Channel