Itali, Como goditet nga përmbytjet, George Clooney sulet të ndihmojë njerëzit!

31/07/2021 09:00

George Clooney i është bashkuar vullnetarëve që po ndihmojnë ekipet e mbrojtjes civile të dërguara në zonën e liqenit të Comos, pas përmbytjeve të befasishme të cilave nuk i shpëtoi as vila e yllit hollivudian.

Aktori 60 vjeçar nuk ka ngurruar të dalë e të pastrojë së bashku me të tjerët në vazhdën e kaosit që shkaktuan tre ditë shirash të pandalshme në zonë. Përmbytjet nxitën edhe rrëshqitje dheu duke dëmtuar një sërë banesash. 60 persona u arrit të shpëtoheshin. Clooney u shpreh se situata ishte më keq nga sa mendonte, sidomos në Cernobbio.

“Fola me kryebashkiakun, do të ketë shumë punë për të bërë e do të duhen miliona dollarë për rindërtimin, por ky është një qytet i fortë, do ta marrë veten”, u shpreh ai.

Rajone të tjera të vendit ndërkohë, si Sardenja u përballën me të nxehtë ekstrem dhe zjarre masive. Flakët shkrumbuan atje një numër shtëpish e rrezikuan banorët, ndërsa autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme duke e përshkruar situatën si një “katastrofë të paprecedentë”.

Top Channel