Google dhe Facebook detyrojnë stafin: “Pa vaksinë, mos hajdeni në punë”!

31/07/2021 16:26

Në kohën kur fushata e vaksinimit ndaj COVID-19 në Shtetet e Bashkuara është ngadalësuar ndjeshëm, gjigantët Google dhe Facebook po kërkojnë të japin kontributin e vet.

Përpara kthimit ne zyrat e tyre SHBA-së të gjithë punonjësit e koncerneve të internetit duhet të vaksinohen ndaj koronavirusit. Këtë e njoftuan të dyja sipërmarrjet pavarësisht njera-tjetrës, të cilat e kanë zgjatur sakaq ofertën për punë nga shtëpia për shkak të përhapjes së variantit Delta.

“Kushdo që vjen në zyrat tona, duhet të jetë i vaksinuar”, deklaroi shefi i Google Sundar Pichai.

“Ne do ta aplikojmë këtë rregullore javët e ardhshme në SHBA dhe në muajt e ardhëshëm do ta zgjerojmë atë edhe në rajone të tjera”, deklaroi ai. Jashtë SHBA-së rregullorja do të përshtatet me kushtet e rregulloreve ndaj koronavirusit si dhe sasinë e vaksinave në dispozicion në vendet përkatëse.

Në një e-mail drejtuar më shumë se 130.000 të punësuarve CEO i Google shkruan, se duke nisur nga 18 tetori ata mund të rikthehen në vendin e punës.

Fillimisht si afat për kthimin në zyra ishte parashikuar 1 shtatori. Google u pati krijuar mundësi punonjësve të vet qysh vitin e kaluar që të punonin nga shtëpia. Facebook planifikon, që duke filluar nga shtatori në zyra të paraqitet 50 përqind e personelit. Ndërsa nga tetori duhet të punohet sërish nga zyra.

Top Channel