Punimet për ujësjellësin e ri të Rrogozhinës janë drejt përfundimit dhe do të garantojnë furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm për 13 mijë banorë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku inspektoi punimet dhe theksoi se po investohet në sektorin e ujit, por nuk kanë mirëkuptim nga qytetarët për të paguar ujin ndërsa kërkoi nga pushteti lokal që të mblidhen të ardhurat nga banorët.
“Po investojmë në rrjetin e shpërndarjes dhe është detyrë e pushtetin lokal, për t’ju ndihmuar nuk mund të vazhdojmë që të investohet dhe mos të paguhet shërbimi ujit. Uji është një e drejtë bazike, ndaj dhe të gjitha depot dizenjohen sipas të gjitha parametrave. Është detyrë e pushtetin lokal që të mblidhen të ardhurat” – tha Balluku.
Ndërsa eksperti që shoqëronte ministren tha se të ardhurat me shtrirjen e rrjetit të ri pritet që të pesëfishohen. Sipas tij, sfida e re janë matësit e rinj, por kërkoi mirëkuptim nga banorët pasi procesi i transferimit nga një rrjet në një tjetër ka procedurat e veta.
Nga ana tjetër, Balluku theksoi se duhet bërë reformë njësoj si në energji nëse qendra urbane dhe rurale do të furnizohen 24 orë me ujë në ditë.
“Kjo është një pjesë sensitive dhe e kemi me merak, investohet shumë në sektorin e ujit, por nuk kemi një mirëkuptim të qytetarëve për sa i përket pagesave të ujit. Nëse duam që qendrat urbane dhe rurale të furnizohen 24 orë me ujë në ditë duhet të bëhet një reformë si në energji, e domosdoshme që të gjithë të kontribuojmë në këtë proces, përndryshe nuk do të kemi një sukses, nuk do kemi mundësi tu ofrojmë një shërbim cilësor qytetarëve”, tha Balluku.
Top Channel