Shpërthejnë zjarret, Sardenja shpall emergjencën: Katastrofë e paprecedentë!

26/07/2021 16:46

Franca dhe Greqia po dërgojnë avionë cistern pas thirrjes së qeverisë italiane për ndihmë në shuarjen e zjarreve masive pyjore që kanë dalë jashtë kontrollit në Sardenja.

Nisja e avionëve nga Parisi dhe Athina, u realizua me aktivizimin e Mekanizmit të Bashkimit Europian për Mbrojtjen Civile. “Për orë të tëra, një zonë e gjerë në provincën e Oristanos u gjunjëzua përballë pushtetit të flakëve shkatërrimtare”, shkroi në rrjetet sociale ministri i jashtëm Italian, Luigi di Maio.

Qindra njerëz janë evakuar, teksa shtëpi të tëra janë shkrumbuar atje nga flakët”, shtoi ai.

Mësohet se numri i të evakuuarve është të paktën 355. 7500 zjarrfikës janë mobilizuar në luftën kundër flakëve si edhe 20 mjete ajrore, 7 avionë e 13 helikopterë. Presidenti i rajonit të Sardenjës, Christian Solinas, i përshkroi këto zjarre pyjore si një “katastrofë të paprecedentë. “Dhjetë mijë hektarë pyje të shkatërruara, biznesi e shtëpi të djegura, kafshë të vrara”, ka shkruar ai.

Rajoni shpalli gjendjen e emergjencës e i bëri thirrje qeverisë të dërgojë menjëherë ndihmë financiare për riparimin e dëmeve e për rimëkëmbjen e komuniteteve.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel