Jetëgjatësia në Shtetet e Bashkuara u zvogëlua për një vit e gjysmë gjatë vitit 2020.
Të dhënat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA tregojnë se jetëgjatësia mesatare ra nga 78.8 vjet në vitin 2019, në 77.3 vjet më 2020.
Sipas studiuesve, pandemia e koronavirusit është shkaktari kryesor për rënien, ndërsa vdekjet nga droga janë faktor kontribues.
Mbi 600,000 amerikanë kanë humbur jetën deri më tash nga koronavirusi.
ë
Të dhënat zyrtare, të publikuara javën e kaluar, kanë treguar se 93,331 amerikanë kanë vdekur nga mbidoza e drogës, vitin e kaluar.
Shifra nënkupton gati 30 për qind rritje krahasuar me vitin 2019.
Rënia e jetëgjatësisë në vitin 2020 është rënia më e theksuar vjetore që nga Lufta e Dytë Botërore, thanë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.
Sipas raportit, gjatë pandemisë janë rritur edhe pabarazitë racore dhe etnike.
Burrat hispanikë panë zvogëlimin më të madh të jetëgjatësisë – me 3.7 vjet, ndërsa burrat afrikano-amerikanë panë rënie për 3.3 vjet.
Gratë afrikano-amerikane dhe hispanike gjithashtu panë rënie më të theksuara sesa burrat dhe gratë e bardha.
Top Channel