Gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar detaje të reja rreth dosjes së skandalit të uniformave të policisë.
Teksa të 9 të dyshuarit Edlira Naqellari, Flutura Cekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kreshnik Bejkaj, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali i janë drejtuar Gjyaktës së Apelit dhe kërkojnë lehtësim të masave të sigurisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka zbardhur vendimin në të cilin evidenton detaje shtesë skandaloze.
Më e rënda është fakti se nëntë të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin ndërhynë në rezultate dhe fituesin, por nga ana tjetër kanë ndryshuar edhe 20 pika të kësaj kontrate.
Duke qenë se autoriteti kontraktor kishte rënë dakord se do të depozitoheshin gati 700 mijë njësi apo artikuj, në fund të gjithë të dyshuarit, me të njëjtën ofertë dhe tender kanë vlerësuar dhe kanë dhënë 239 mijë artikuj më pak njësive të shtetit, ku përfshihen këmisha dimri, këpucë për meshkuj, për femra dhe cdo njësi tjetër që përmban uniforma e policisë së shtetit.
Gjykata e Posacme e shkallës se Parë evidenton edhe dëshminë e drejtoreshës së agjensisë së blerjeve të përqendruara, Edlira Naqellari, e cila ka këmbëngulur se është e pafajshme dhe ka zbatuar ligjin. Sipas Naqellarit, Policia e Shtetit mbahej prej vitesh me donacione nga shtete të ndryshme dhe për këtë arsye ishte rënë dakord që më në fund efektivët e policisë së shtetit që të visheshin me uniforma dinjitoze.
Sipas saj, edhe vetë drejtoria e policisë së shtetit nuk ishte e qartë se sa uniforma i nevojiteshin sepse ka largime dhe dalje në pension çdo vit. Nga ana tjetër, justifikohet për masat trupore të policisë. Ndërsa një i dyshuar tjetër, Klevis Hasani i kujton SPAK se ka qenë i përkushtuar në detyrë dhe ka qenë themeluesi i komisariatit digjital. Të gjithë ata pretendojnë se nuk ka asnjë dëm ekonomik, por Gjykata e Posaçme këmbëngul që ka dëm të konsiderueshëm.
Pritet që Gjykata e Posaçme e Shkallës së Dytë të caktojë një datë për të shqyrtuar apelimet e 9 të dyshuarve. Tetë të dyshuarit janë lënë në burg, ndërsa e dyshuara Anisa Bogdani shkoi nën arrest shtëpiak. Këto zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë përfshirë në tenderin e uniformave të policisë, një tender që ka shkaktuar dëm ekonomik dhe shkelje në barazinë në tendera.
Dëshmitë që dhanë të dyshuarit në seancë gjyqësore
Edlira Naqellari: Nga gjithë dokumentacioni që më është vënë në dispozicion ditën e kontrollit të banesës dhe arrestit tim nuk arrita të kuptoja që cilin nen të ligjit për prokurorimin publik kisha shkelur. Edhe sot nuk jam e qartë pse unë dhe ish punonjësit e mi pasi unë nuk jam më drejtore e përgjithshme e Agjensisë së Blerjeve të Përqendruara ndodhen këtu. Ju siguroj dhe ju garantoj që si nga ana ime, por edhe nga ana e punonjësve të mi, profesionalizmi dhe integriteti në zhvillimin e procedurës së prokurorimit që është bërë objekt hetimi dhe gjykimi është respektuar nga ligji, është treguar profesionalizëm, integritet dhe është arritur të realizohet me sukses një prioritet shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare që ishte pajisja e punonjësve të policisë së shtetit me uniforma. Në aktet që më janë vënë në dispozicion ditën e arrestit, mbaj mend që bëhej fjalë për një kohëzgjatje të procedurës. Procedura ka zgjatur, është publikuar në datë 26.07.2019 dhe ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshje kuadër në korrik të 2020 për shkak të kompleksiteti që vetë ky objekt prokurorimi paraqet. Uniforma e policisë së shtetit si një e tërë nuk arrihej, nuk arriheshin, nuk janë arritur dot të realizohen si prokurorim prej vitesh. Punonjësit e policisë së shtetit janë mbajtur me donacione të dhuruara nga shteti turk apo shtete të tjera. I gjithë qëllimi jonë ka qenë që në respektim të ligjit të arrihej të realizohej me sukses një procedurë prokurorimi, të nënshkruhej një marrëveshje kuadër dhe ti jepet mundësia Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si institucioni kërkues për të plotësuar nevojat e veta. E gjithë kjo procedurë ka filluar me kërkesa për prokurorimin të dërguar nga autoriteti kontraktor Drejtiria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit pranë Agjensisë së blerjeve të përqendruara në cilësinë e organit qendror blerës, e cila është ngarkuar me VKM me ndryshimet përkatës.
Është, ka qenë në kompetencën e Agjensisë për të zhvilluar këtë prokurim për uniformën e policisë së shtetit. Kërkesat e DPPSH kanë qenë edhe për uniforma, edhe për këpucë, edhe për mënyrë shpërndarje të tyre tek punonjësit e policisë nëpërmjet një sistemi elektronik shpërndarës. Duke qenë se ishim përpara situatës kur kishim kërkesat nga Autoriteti Kontraktor, mua më vinin kërkesat dhe më tej ja drejtoja strukturave përkatëse, edhe për uniformë këpucë dhe uniforma e policisë së shtetit konsiderohet një dhe e vetme nga koka tek këmbët, nga kapelja tek këpucët. Ky prokurorim është bërë me një procedurë të vetme. Ne nuk na detyron ligji që ta ndajmë këtë procedurë prokurorimi. Nga ana tjetër, procedura e prokurimit nga Korriku 2019 në Korrik 2020, nga publikimi deri nën nënshkrimin e marrëveshjes kuadër, ajo që ka qenë detyra jonë si organ qendror blerjesh ka zgjatur se janë paraqitur ankesa nga operatorët dhe rezulton se pas publikimit të procedurës në datë 26.07.2019 brenda afatit kohor 7 ditor në dispozicion të operatorëve ekonomik të interesuar për të paraqitur ankesa janë depozituar 4 ankesa që lidheshin me specifikime teknike, sistemin e shpërndarjes me dokumentat e tenderit.
Në zbatim të ligjit, me urdhër kam pezulluar procedurën e prokurimit, bazuar në nenin 63 të ligjit për ligjin e prokurimit publik dhe kam caktuar një komision për shqyrtimin dhe marrjen e një vendimi në lidhje me këto ankesa. Komisioni i shqyrtimit të ankesave ka konstatuar se ka një vendim të VKM i vitit 2016, i cili autorizon pikërisht drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit për të miratuar të thënat teknika dhe mënyrat e zbatimit të uniformës.
Në këto kushte, Komisioni i shqyrtimit të ankesave nuk mund të shqyrtonte dhe të merrte një vendim për ndryshimin ose jo, për pranimin pjesërisht apo plotësisht të ankesave të paraqitura nga operatorët ekonomik, pasi dilte jashtë kompetencës. Për këtë arsye, bazuar në një mero, informacion që më është vënë në dispozicion nga ky komision, i kemi dërguar me shkresë kërkese për rishikim drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit të gjitha pretendime dhe argumentat e 4 operatorëve ekonomik në lidhje me dokumentat e tenderave, në mënyrë që ai si autoritet kompetent të vendoste nëse duhet të ndryshoheshin apo jo, nëse duhet të rishikoheshin. Dhe kështu ka ndodhur, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka rishikuar specifikimet teknike të artikujve të uniformës të sistemit elektronik të shpërndarjes dhe i ka dërguar pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara.
Gjatë gjithë kësaj kohe, procedura e prokurimit ka qenë e pezulluar. Me marrjen e shkresave të përgjigjeve të specifikimeve teknike të ndryshuara dhe rishikuara atëherë është aktivizuar sërish komisioni i shqyrtimit të ankesave duke marrë vendime përkatëse dhe ua ka komunikuar këto operatorëve ekonomikë që kishin paraqitur ankesa. Është respektuar më tej afati 10 ditor i animimit për komisionin e prokurimit publik në lidhje me këto vendime, njëkohësisht nga njësia e prokurimit bazuar në shkresat, në vendimmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për ndryshimin e këtyre specifikimeve teknike janë bërë dhe shtojcat përkatëse në dokumentat e tenderit që janë bërë publike në sistemin e prokurimit elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik, është respektuar njëkohësisht edhe afati kohor 10 ditor për ankesa të mundshme në komision të prokurimit publik. Ka rezultuar që është paraqitur vetëm një ankesë dhe ankesë të cilën komisioni i prokurimit publik nuk e ka marrë parasysh në lidhje me shtojcat e dokumentave të tenderit. E gjithë kjo që po edhe është për të sqaruar kohëzgjatjen e procedurës.
Me anë të përzgjedhjes së procedurës së kufizuar ne kemi arritur që në datën 10 Janar 2020 që ishte data e hapjes së kërkesave për pjesëmarrje për fazën e parë para kualifikimit të kishim 6 operatorë ekonomik të kualifikuar dhe në përfundim kanë rezultuar tre operatorë ekonomikë të kualifikuar.
Në lidhje me vlerësimin e ofertave ka rezultuar se është paraqitur për fazën e parë, a rezultuar se është paraqitur një ankesë nga një prej 6 operatorëve pjesëmarrës, ankesë e cila nuk u mor parasysh, e pezulloi procedurën që për shkak të afateve që neni 63 dhe neni 78 i rregullave të prokurimit publik parashikon dhe më tej ky operator ekonomik nuk është ankimuar as në komision dhe as në Gjykatë Administrative nuk është bërë ezaurimi administrativ i ankesës dhe as ai gjyqësor në Gjykatë Administrative për zgjedhje të vetë operatorit ekonomik të skualifikuar. Në fazë të dytë të 3 ofertuesit që paraqitën ofertat e tyre, një prej të skualifikuarve paraqiti ankesë në lidhje me vendimmarrjen e komisionit të vlerësimit
Në fazë të dytë të 3 ofruesit që paraqitën ofertat e tyre, një prej tyre paraqiti ankesë në lidhje me vendimmarrjen e komisionit të vlerësimit të ofertave, ankesë e së cilës nga një komision shyqrtim ankese ngritur nga ana ime nuk u mor parasysh, por edhe ai vendim i komisionit të vlerësimit të ofertave të kualifikimit e një prej ofertuesve dhe skualifikimit të dy ofertuesve të tjerë është verifikuar nga një komision shqyrtim ankesë, ky operator ekonomik që u ankimua nuk ezauroi sërish të drejtën për ankimim administrativ në komisionin e prokurimit publik dhe më tej në Gjykatë Administrative.
Në lidhje me ndryshimin e fondit limit, mesa mbaj mend që ishte te pjesa e vendimit, fondi i përgjithshëm i marrëveshjes kuadër ka qenë i publikuar me datë 26.7.2019 në vlerën rreth 2 miliard e 800 milion lekë të reja pa TVSH dhe i tillë ka ngelur i pandryshuar deri në fund të procedurës dhe nënshkrimin e marrëveshjes kuadër. Marrëveshja kuadër nuk ka sasi fikse. Për më tepër vetë dokumenti marrëveshja kuadër e nënshkruar midis Agjencisë së blerjeve të përqendruara dhe operativ ekonomik fitues në një nen të saj parashikon që autoriteti kontraktor Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit ka të drejtë të kontraktojë, të furnizohet më pak për disa artikuj, më shumë për disa të tjerë ose asnjë nga ato artikuj mallrash që janë të prokuruar. Edhe pretendimi për ndryshimin e sasive apo përshtatjen që ka bërë struktura e njësisë së prokurimit për përshtatjen e sasive është në përputhje të plotë me çfarë marrëveshja kuadër parashikon, sasi të pritshme, sasi orientuese, jo sasi fikse.
Në lidhje me situatën time, dua të sqaroj që kam njohuri shumë të mira në fushën e prokurimit publik që në vitin 2005. Nuk kam pasur asnjëherë asnjë lloj problematike në ushtrimin e detyrave të mia. Kam zbatuar gjithmonë ligjin dhe kështu ka qenë edhe rasti konkret. Situata që më është shkaktuar tani me kërkesën e prokurorit dhe me vendimin tuaj për arrestin me burg, nuk ka shqetësuar vetëm mua, nuk ka cenuar vetëm shëndetin apo gjendjen time psikologjike, por edhe atë të familjes time. Masa që është kërkuar dhe vendosur në rastin konkret është absurde, e paligjshme dhe nuk është e mbështetur në ligj, nuk ka asnjë argument, nuk ka asnjë fjalë apo fjali në ato akte që më janë vënë në dispozicion që unë të ngarkohem me një shkelje të caktuar ligjore. Secila strukturë që është përfshirë në procedurën e prokurimit ka kryer vetëm detyrën e saj në mënyrë të pavarur në zbatim të ligjit. Nga ana e të gjithë punonjësve ju garantoj për këtë, nuk është favorizuar askush, përkundrazi ju është dhënë mundësia për të marrë pjesë dhe për të ofertuar të gjithë. Nëse do të merrni dhe të shikoni statistikat niveli i pjesëmarrjes së operatorëve ekonomik është një procedurë shumë e lartë. Marrëveshja kuadër nuk sjell dëm ekonomik sepse me një afat dhe fond të caktuar, autoritetet kontraktore lidhin kontrata për aq sasi sa kanë nevojë në atë kohë kur kanë nevojë. Fondi i marrëveshjes kuadër nuk i është paguar fituesit. Brenda atij fondi sipas nevojave që do të kenë vetë punonjësit e policisë së shtetit do të lidhen kontrata rast pas rasti sipas nevojave të tyre specifike, brenda kësaj periudhe 4-vjeçare dhe kjo nuk do të thotë që fondi as do të tejkalohet dhe as do të realizohet i gjithi dhe as do të abuzohet me të.
Klevis Hasani: Unë jam punonjësi i policisë së shtetit nga maji i vitit 2014 deri në prill të këtij viti dhe gjatë kësaj periudhe besoj dhe kam qenë një punonjës shumë i devotshëm përsa i përket punës. Jam specialist programimi, kam implementuar dhe kam bërë vetë me dorën time programe nga më të ndryshmet që i vijnë në ndihmë si qytetarëve dhe punonjësve të policisë në punën e tyre të brendshme. Këtu unë përmend komisariatin digjital që ju vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve, faqen e policisë, programin që mund të kontrollojmë sa gjoba kemi dhe me radhë. Prej 3 muaj nuk jam më pjesë e policisë. Kam shkuar në një kompani private dhe zoti prokuror është në dijeni të këtij fakti dhe më ka uruar suksese herën e fundit që jemi takuar. Gjithmonë isha shumë bashkëpunues sa i përket hetimit. Në familje sic u përmend sapo jam bërë me një djalë, kam dhe një kredi për të paguar dhe kërkoj lehtësimin e masës.
Flutura Çekrezi: Policia e Shtetit gjithë kohën ka shprehur gatishmërinë e saj për të vijuar me procedurën dhe në asnjë moment nuk ka ndryshuar fondin e përgjithshëm të marrëveshjes kuadër, dhe fondi limit është ky, ky është fondi i procedurës, pra fondi nuk ka ndryshuar, nëse kjo do të ndryshonte atëherë unë do t’i drejtohesha titullares dhe do t’i thoja situata është e tillë dhe duhet të vendosni anulimin e procedurës. Por kjo nuk ka ndodhur.
Fatmir Demneri: Unë jam thirrur me kërkesë të drejtorisë për blerjet? e përqendruara dhe i propozuar nga departamenti nga Univeristeti Politeknik i Tiranës si ekspert i thelluar me çështjen që kishte me vlerësimin e kritereve teknike të ofertuara nga ofertuesit. Unë kam që nga viti 1997 si pedagog i jashtëm, pra udhëheqës diplomash i shumë studentëve në departamentin tekstil të modës. Sigurisht jam në doktoraturë në lidhje me përshtatjen e standardeve ISO që ju po diskutoni shumë, sepse është një nga temat e diskutimit e vetmja që kam pasur dhe në takimin e vetëm që kam pasur me prokurorin në fjalë dhe me oficerin e policisë gjyqësore i thirrur me telefonatë, pra kam shkuar menjëherë, nuk ka pasur as kërkesë me shkrim, as kërkesë të ardhur nga policia, por ka ardhur në një telefonatë që ka bërë që ka bërë oficeri i policisë gjyqësore. Jam paraqitur dhe kam verifikuar gjashtë orë në lidhje me vlerësimin që u kam bërë në një raport vlerësimi që kam bërë me një kolegun tim. Kemi shqyrtuar të gjithë operacionin teknik… i kemi shikuar fletë për fletë deri në orën 6 pasdite. Në Ministri dhe në zyrat e Ministrisë së Brendshme, në zyrat e KVO-së, zoti Pjetërnikaj nuk e di si e ka mbiemrin dhe kemi diskutuar dhe është vendosur, ka qenë ditë e premte, ka qenë ora 6 pasdite, kemi punuar aq vonë dhe kemi vendosur që në lidhje me të gjithë kriteret për tre kompanitë për tre ofertuesit, pra nuk është bërë vlerësim për një ofertues, por është bërë për të tre ofertuesit dha janë diskutuar çfarë mungon, janë në raport të hollësishëm, të vendosur në raportin tonë që është lënë në zyrat e KVO-së. Kjo është dhe çështja fare e thjeshtë e këtyre certifikatave dhe për këtë është bërë një vlerësim, i cili është ndarë aty pjesë përbërëse, siç tha kolegu i KVO-së, e gjithë procedura është printuar ditën e premte, në orën 6 pasdite dhe kemi qenë pesë anëtarë, unë zoti Buzali ka qenë Kreshniku, zoti Mingaj dhe ka qenë kryetari i KVO-së, zoti Ylber Pjetërnikaj. Ylber Pjetërnikaj, me arsyen që ramë dakord që do verë dhe do pranohet, kjo ka bërë në çast njoftimin e email të kompanisë të ofertuesit që të kualifikohej që të sillte në lidhje me ofertën anomalisht të ulët të sillte provat dhe kjo sipas ligjit, nuk mund të bëhej nëse nuk mund të binte dakord të gjithë KVO-ja. Kaq mund të sqaroj.
Ani Omuri: E gjithë procedura e prokurimit është zhvilluar, janë zhvilluar të gjithë hapat në zbatim të të gjithë kërkesave dhe shkresave të përcaktuara Autoriteti Kontraktor kërkues, pra specifikimet teknike të kërkuara nga autoriteti, të përcaktuara në zbatim të VKM-së nga Autoriteti Kontraktor, ndryshimi i specifikimeve teknike po prapë i kërkuar nga Autoriteti Kontraktor, Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe ndryshimi i çmimeve po ashtu i bërë në bazë të ritestimit të tregut nga Autoriteti Kontraktor, Policia e Shtetit.
Çdo gjë tjetër, çdo veprim tjetër i njësisë së prokurimit është bërë në zbatim të plotë të ligjit, zbatimi më rigoroz i mundshëm. Çdo gjë është bërë në zbatim, duke nisur që nga i përzgjedhuri. Përzgjedhja e llojit të procedurës, procedura e kufizuar, duke vazhduar me marrëveshjen kuadër, e cila parashikon se sasitë janë të pritshme gjithmonë në bazë të fondit limit, të përcaktuar nga Autoriteti Kontraktor, i cili ka nevojë për blerjen e mallrave dhe shërbimeve, të cilat janë objekt prokurimi, i cili nuk filloi nga fillimi në fund të procedurës. Gjithashtu, kam mbetur e befasuar për mungesën e firmës të njërës prej anëtarëve të njësisë së prokurimit, duke qenë se kjo gjë nuk është bërë në bazë të ligjit. Ligj, i cili sot pretendohet se na është kthyer kundër.
Lidhur me gjendjen time fizike dhe shëndetësore, ju bëj më dije se, sikurse avokati ime e tha, kam bërë një ndërhyrje kirurgjikale në mitër, kam hequr një masë në datën 23 qershor dhe për këtë arsye duhet të isha akoma në rehabilitim. Ndërkohë që ndodh e gjitha kjo dhe përveç ngarkesës fizike, mendore e psikologjike, e cila është totalisht në dëm të procedurës që është bërë për mua, mund të ndikojë në vijueshmërinë e mënyrës së jetesës sime. Kërkoj që masa arrest me burg të zbutet.
Kreshmnik Bejkaj: Kam qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për fazën e dytë, sepse në fazën e parë, unë kam qenë punonjës i agjencisë së blerjeve… Ne i jemi drejtuar titullarit me një memo bashkarisht si komision për ekspert të fushës, ndihmë nga ekspert të fushës për sa i përket specifikimeve teknike. Na janë vënë në dispozicion ekspert të fushës, që kanë mbajtur një akt teknik në lidhje me procesin e vlerësimit për sa i përket pjesës teknike, fletë analiza specifike teknike certifikata të ndryshme ISO dhe konfirmiteti në lidhje me objektin e prokurimit. Ky akt teknik ka qenë pjesë e pandashme e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për pjesën teknike jemi bazuar në këtë akt teknik, mbajtur nga specialistët e fushës dhe kjo është për sa i përket Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Doja të theksoja, thjesht nëse ne si Komision i Vlerësimit të Ofertave kemi bërë një vlerësim në kundërshtim me ligjin ose ta dimë se cilin nen të ligjit të prokurimit publik uë kam prekur ose kam shkelur, nëse ne si komision kemi shkelur ligjin e prokurimit publik, operatorit që i është prekur interesi, ka bërë ankesë para autoritetit dhe sigurisht në përputhje me ligjin me prokurimin publik, është ngritur Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, që ka mbajtur të njëjtin qëndrim, ashtu si Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Ata janë kolegë të nderuar, nuk kam asgjë me ata, por nëse KVO-ja ka marrë një vendim në kundërshtim më ligjin dhe KSHA-ja të njëjtën gjë ka mbajtur vendimin tonë, pse nuk janë ata sot këtu, kjo më duket më shumë politike, nuk ka asnjë bazë ligjore. S’ka logjikë fare.
Top Channel