Zyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se varianti Delta vazhdon të përhapet dhe vlerësohet se 83 për qind e rasteve të reja të infektimit me koronavirus, lidhen me të. Kjo rritje është konsideruar dramatike, pasi dy javë më parë me këtë variant ishin të infektuar rreth 50 për qind e rasteve të reja.
Ndërkohë Departamenti i Shtetit po u bën thirrje amerikanëve të mos udhëtojnë në Britani për shkak të rasteve në rritje me COVID-19 në vend.
Departamenti i Shtetit e rriti të hënën në nivelin më të lartë paralajmërimin për udhëtimet në Britani, pas një veprimi të ngjashëm të ndërmarrë nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve më parë gjatë ditës.
Të dy agjencitë thanë se nëse njerëzit duhet të udhëtojnë për në Britani, ata duhet të sigurohen që janë vaksinuar plotësisht para udhëtimit.
Paralajmërimi erdhi ndërsa britanikët festonin “Ditën e Lirisë”, fundi zyrtar i pothuajse të gjitha kufizimeve të mbylljes së koronavirusit, duke përfshirë vënien e detyrueshme të maskës dhe distancimin shoqëror.
Por Kryeministri Boris Johnson ka të ngjarë të ketë ulur entuziazmin e festimeve kur njoftoi se do të kërkohet prova e vaksinimit për të hyrë në klubet e natës dhe vendet e tjera ku mblidhen turma të mëdha njerëzish duke filluar në fund të shtatorit. Kryeministri Johnson e kaloi Ditën e Lirisë në karantinë pasi ministri i shëndetësisë Sajid Javid doli pozitiv me COVID-19.
Rastet në Britani kaluan 50,000 të infektuar në ditë javën e kaluar për herë të parë që nga janari. Rritja kryesisht ka ardhur nga varianti delta i virusit, i identifikuar së pari në Indi.
Top Channel