Frrok Çupi e Denis Dyrnjaja “përplasen” në Top Talk për sukseset e PD-së

21/07/2021 17:40

Në Top Talk analisti Frrok Çupi, tha se PD është një forcë politike të cilës po i fiket kandili, dhe është drejt zhdukjes.

Ndërsa gazetari Denis Dyrnjaja tha se situata nuk mund të shihet kaq ‘e zezë’ , pasin një forcë opozitare i duhet vendit, ata patën argumente dhe kundër argumente.

Debati në studio

Çupi: Është herë e disatë që PD izolohet nga ndërkombëtarët.

Dyrnjaja: Si shpjegohet që një parti e ardhur me frymën perëndimore, është në përballje të vazhdueshme me ta?

Çupi: Unë jam dëshmitar i akteve të para të PD, udhëheqja e PD ka realizuar misionin e stopimit të demokracisë ne vend dhe të rrënimit të ekonomisë dhe paqes e stabilitetit.

Dyrnjaja: Mbi ç’bazë e thoni këtë?

Çupi: Parrulla e liderëve kryesore e Berishës, Meksit, Hajdarit ishte që të shkatërrohej ekonomia komuniste .

Dyrnjaja: Po mirë ekonomia nuk ishte produktive, ishin të lodhura edhe ato fabrika që ishin…

Çupi: S’besoj që duhet ta themi këtë gjë, se e gjithë ekonomia e lindjes, ne ndoshta s’kishim për të prodhuar avionë, por kishim për të prodhuar misër, grurë dhe fruta për ekonominë. U dha porosia që të gjitha fermat të shkatërroheshin, do të prodhonimin dhe kromin.Tani si duhet të prishet ekonomia dhe të lihen njerëzit pa bukë.Vijmë tani në momentin kur duhet të themi të vërtetën që PD nuk ka qenë kurrën e kurrës mazhorancë por ka kryer dëmet më të mëdha në vend.

Dyrnjaja: Po një sekond, se PD e ka futur Shqipërinë në NATO, që është e mirë historike madhore për vendin, liberalizoi vizat.

Çupi: Në NATO ne na fut NATO , nuk futemi ne vetë, nevojat që ka NATO për të na fut aty.

Dyrnjaja: Po duhet të plotësosh disa kritere , në mënyrë se si qeverisja sillet me kriteret dhe gjithçka tjetër.

Çupi: Po t’i kthehemi kritereve të NATO, ajo nuk kishte vënë asnjë kriter.

Dyrnjaja: Ne jemi futur në NATO gjeopolitikisht thoni ju?

Çupi: Padyshim!

Dyrnjaja: Po kështu mund të futeshim dhe në BE, pse s’po futemi në BE?

Çupi: Po sepse nuk do BE, atëherë donte NATO. Tani edhe nëse sot ne futemi në BE, kjo s’do të thotë se na ka fut PS, na ka fut domosdoshmëria e BE për tu zgjeruar.

Dyrnjaja: Po ka të bëjë mënyra se si qeverisesh, se si plotëson standardet kriteret , nëse lufton korrupsionin, krimin , nëse ke lirinë e shtypit , pra kritere që një qeveri duhet t’i plotësojë që të ballafaqohet .

Çupi: Atëherë le t’i marrim organizatat perëndimore si bursë, ne kemi hyrë në bursën perëndimore që në 95’ , kur jemi pranuar anëtar të këshillit të Europës dhe Asamblesë, dhe të jesh anëtar i tyre do të thotë se ka pranuar të bësh ligjet si ata, të udhëzohesh prej tyre, por mbi të gjitha që legjislacioni t’i përshtatet Perëndimit . Ky është problemi, dhe është problem i zhvillimeve botërore dhe i një pozicioni gjeopolitik i Shqipërisë dhe i një dashurie të kombit shqiptar për perëndimin.

Dyrnjaja: Ju thatë që PD i ka shkaktuar dëme vendit, por ka meritat e veta.

Çupi: Po mirë le të gjejmë meritat e PD, a është 97’ meritë e PD është, po grushti i shtetit i 98 po është, është ligji i pronave që ka shkatërruar gjithë sistemin e pronave po, meritë e PD është, shkatërrimi i drejtësisë, vrasja e demonstruesve në 21 janar, meritë e PD, lufta me bomba dhe molotove, Gërdeci, të gjitha merita të tyre janë.

Dyrnjaja: Po atëherë s’do kishte PD 600 mijë mbështetës.

Çupi: Ju thashë që PD ka një realitet dhe një fantazi, njerëzit që kanë jetuar në përfytyrim, ndër të cilët ca kohë kam qenë dhe unë, kanë jetuar vazhdojnë të jetojnë në përfytyrim, ka dhe shumë të tjerë që mendojnë se me PD nuk do paguajnë taksa, nuk do paguajnë drita etj që futen te 600 mijë, ka dhe njerëz aty që besojnë te demokracia, etj, ka dhe nga ata që s’duan PS dhe rrinë aty.

Top Channel