Nënshkruhet marrëveshja për zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të gazit/ Rama: TAP burim i sigurtë për një zhvillim ekonomik dhe social

06/07/2021 13:34

Në stacionin ultramodern të Gazsjellësit TransAdriatik (TAP) në Fier, sot u nënshkrua Marrëveshja për Ndërtimin e Pikës Fillestare Dalëse Shqiptare të Gazit.

Ky investim i ri strategjik i hap rrugë zhvillimit të infrastrukturës kombëtare të gazit në rajonin jugor, ndërkohë që po vijon puna për projektin e detajuar për tubacionin Fier – Vlorë, i cili do të lidhë gazsjellësin me TEC-in e Vlorës dhe me portën e re hyrëse që do të investohet nga kompania Exxon Mobile.

Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me praninë e Kryeministrit Edi Rama.

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Rama në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes:

Sot është një nga shumë stacionet e një rrugëtimi që vazhdon për ta kthyer Shqipërinë praktikisht në një eksportues neto të energjisë. Në të njëjtën kohë, për ta bërë vendin tonë një hapësirë burimesh të ndryshme, të larmishme, të prodhimit të energjisë, duke futur më në fund, edhe një komponent tjetër në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, të munguar historikisht, siç është gazi.

Ne jemi shumë besimplotë që tanimë është vetëm çështje vullneti, është vetëm çështje vendosmërie, është vetëm çështje këmbënguljeje, pune dhe durimi të madh për të përmbushur një vizion, i cili nuk është më një dëshirë, nuk është më as një aspiratë e mbështetur në një ëndërr, por është një horizont i arritshëm mbi baza tanimë të vendosura.
Edhe procesi i nisur i ndërveprimit, për të siguruar një bashkëpunim të qëndrueshëm me një kompani të madhe amerikane, siç është ExxonMobil, sëbashku me Accelerator Energy, është një tregues kuptimplotë i faktit se TAP-i nuk është thjesht një rrugë kalimi e gazit për në anën tjetër të Adriatikut, por është një burim i sigurt i një zhvillimi ekonomik e social transformues për vendin në dekadën ku sapo kemi hyrë.

Dua të shpreh konsideratën më të lartë për të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë projekt fantastik e sidomos, për të gjithë ata që janë shqiptarë të përfshirë në këtë projekt, duke filluar nga drejtuesi që është këtu me ne e të gjithë të tjerët, nga ekipi menaxherial tek ekipi i specialistëve, sepse përbëjnë edhe një vlerë të shtuar në kapitalin njerëzor të këtij vendi.

Po ashtu dua të falënderoj edhe të gjithë ata që punuan dhe mundësuan këtë moment, siç do mundësojnë me siguri edhe momente të tjera. Skuadrën e ministrisë dhe skuadrën e re të Albgazit, që është një krijesë e re në botën e institucioneve tona, por që ka një perspektivë shumë të fuqishme dhe përbën një pikë mbështetjeje të rëndësishme në hartën e sektorit strategjik të energjisë në Shqipëri.
Faleminderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA