Kishin veshjet e gabuara/ Dy vajza ngrijnë për vdekje në Alpe

06/07/2021 12:28

Ishin të entuziazmuara për turin në Alpe, të cilin po e prisnin me padurim.

Por, ngjitja në masivin Monte Rosa, kur ishin pak nën piramidën Vincent do të qe e fundit për dy shoqet e apasionuara pas alpinizmit.

Martina Sviluppo, 29 vjeçe dhe Paola Viscardi, 28, nuk u kthyen më nga ai udhëtim. Ato mbetën të bllokuara nga moti i keq në lartësinë 4.150 metra mbi nivelin e detit. Vajzat nga Piemonti kishin vendosur ta kalonin fundjavën duke kryer një ngjitje jo shumë të vështirë së bashku me mikun e tyre 27 vjeçar, Valerio Zolla, pavarësisht paralajmërimeve për një mot të paqëndrueshëm.

Sipas raporteve, ato ia dolën me sukses të ngjiteshin në majë. Por gjatë kthimit humbën rrugën. Ndonëse arritën të njoftonin, nuk dinin të jepnin vendndodhjen e saktë e më pas, linja u shkëput për shkak të stuhisë. Disa përpjekje për t’i gjetur dështuan, e më në fund kur ndihma mbërriti, për vajzat ishte shumë vonë, ndërsa Zolla, me pasoja të rënda nga hipotermia, u dërgua në një spital në Zvicër.

Mësohet se grupi ishte i pajisur mirë për një ngjitje në mal në kushte atmosferike normale. Por veshjet e tyre nuk ishin të përshtatshme për të qëndruar gjatë jashtë, sidomos natën.

Meteorologia Valentina Acordon tha se temperatura në masivin ishte -4C, pro për shkak të erërave të forta e të acarta, ndihej sikur të ishte -15C.

Top Channel