Armë, drogë dhe para të gatshme, çfarë zbuloi operacioni policor në Itali? 644 të arrestuar në dy javë, 69 prej tyre të mitur
Një histori e pazakontë po tërheq vëmendjen në aeroportin Capodichino të Napolit, ku një i ri rreth 30 vjeç jeton prej më shumë se një muaji, pa dokumente, pa para dhe pa kujtime për identitetin e tij. Ai thotë se është suedez, por nuk di të tregojë as emrin dhe as se si ka përfunduar në Itali.
I riu, i cili përshkruhet si një person i rregullt në paraqitje dhe shumë i sjellshëm në komunikim, kalon pothuajse gjithë ditën në ambientet e aeroportit, nga hapja në orën 03:30 të mëngjesit deri në mbylljen në orën 22:30.
Ai nuk ka me vete dokumente identifikimi, sende personale apo para. E vetmja gjë që arrin të tregojë për veten është se është me origjinë nga Suedia, ndërsa për pjesën tjetër të historisë së tij nuk mban mend asgjë. Gjatë natës përpiqet të gjejë strehim në zonat përreth aeroportit, i cili është kthyer në të vetmin vend ku mund të qëndrojë.
Rasti të kujton historinë e personazhit të interpretuar nga Tom Hanks në filmin e njohur “The Terminal”, ku një burrë mbetet i bllokuar në aeroport. Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, prania e 30-vjeçarit është kthyer në një pjesë të përditshmërisë së aeroportit. Punonjësit e dyqaneve dhe bizneseve brenda tij janë afruar me të dhe, në njëfarë mënyre, janë kujdesur për të.
Disa i ofrojnë ushqim, të tjerë i sigurojnë rroba të pastra, ndërsa disa punonjës i kanë dhënë edhe produkte për higjienën personale. Por tashmë situata është bërë edhe më e ndërlikuar. Aeroporti i Napolit është mbyllur më 1 nëntor për shkak të punimeve të mirëmbajtjes së pistës dhe nuk pritet të rihapet për rreth 30 ditë.
Kjo ka ngritur një pikëpyetje të madhe: ku do të qëndrojë i riu gjatë kësaj periudhe?
Për rastin është angazhuar edhe Pierluigi Petrone, konsulli i nderit i Suedisë në Napoli, i cili është takuar personalisht me të riun.
“E kam takuar dhe kemi shkëmbyer disa fjalë në anglisht. Më tha vetëm se ishte suedez dhe se nuk mbante mend asgjë për identitetin e tij. Është i edukuar dhe nuk ka shkaktuar asnjë shqetësim. Por si ka mbërritur këtu dhe përse vazhdon të qëndrojë në këtë vend, nuk e dimë”, deklaroi Petrone për “La Repubblica”.
Ndërkohë, në përpjekje për të zbardhur identitetin e tij, është angazhuar edhe Policia Kufitare, e cila i ka dërguar një komunikim ambasadës suedeze në Romë. Në dokumentin zyrtar, 30-vjeçari përshkruhet si një “shtetas i dyshuar suedez”, i pranishëm prej disa ditësh në aeroportin e Napolit.
Konsulli Petrone ka bërë një apel publik, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të riut.
“Kushdo që e njeh nga fotografitë, të na ndihmojë, në mënyrë që të mund t’i japim një dorë”, u shpreh ai.
Qëllimi është që historia e pazakontë e 30-vjeçarit të marrë një përgjigje dhe ai të mund të identifikohet, të kontaktojë familjarët dhe, nëse është e mundur, të rikthehet pranë tyre. Për momentin, mbetet ende mister se kush është i riu suedez, si përfundoi në Napoli dhe ku ndodhet shtëpia e tij.
Top Channel