Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi në Prishtinë gjatë takimeve me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti se autoritetet kosovare duhet të respektojnë marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që FSK të mos hyjë në pjesën veriore të Kosovës pa marrëveshje me KFOR-in.
Stoltenberg: Kjo është diskutuar dhe e mirëpres që autoritet e Kosovës vazhdojnë të mbështetësin marrëveshjen e vitit 2018, që FSK të mos kalojë në pjesën veriore pa marrëveshjen e KFOR-it. Kjo reflekton sensitivitetin e situatës dhe është mënyra më e mirë për të gjetur një balancë. Ne vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen e një marrëveshjeje politike në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë marrëveshje të rikonfirmuar në vitin 2018 ndërmjet NATO-s dhe presidentit të atëhershëm Hashim Thaҫi, e sheh të dëmshme për Kosovën dhe si të tillë një muaj më parë ai e ka dërguar në prokurori. Sipas Kurtit kjo përbën shkelje të Kushtetutës. Në një letër-këmbim të vitit 2013, Hashim Thaçi e ka siguruar shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fog Rasmussen se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it”.
Sekretari aktual i NATO-s, tani thotë se kjo marrëveshje është akoma e vlefshme. Stoltenberg, po ashtu tha se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por brenda mandatit të saj fillestar, pra para vendimit të Kuvendit të Kosovës që me anë të ligjit FSK-në e shndërroi në ushtri të Kosovës, por pa ju ndërruar emri.
Top Channel