Fuqizimi i shpejtë bërthamor i Kinës ka nisur të shqetësojë Shtetet e Bashkuara, të cilat i bënë thirrje Pekinit të angazhohet në dialog për “masa praktike për të reduktuar rrezikun e një gare destabilizuese armatimesh”.
Shtimi i armatimeve bërthamore kineze është bërë më i qartë, ndërsa Kina largohet nga strategjia që ka ekzistuar prej dekadash për shkurajim minimal, u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price në një konferencë për shtyp.
Price i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje lidhur me artikullin e Washington Post, sipas të cilit Kina ka filluar të ndërtojë mbi 100 struktura mbajtëse për raketa në një shkretëtirë në perëndim të vendit. “Këto zhvillime dhe të tjera çojnë në përfundimin se arsenali bërthamor i Kinës do të rritet me shpejtësi dhe në një nivel më të lartë se ç’parashikohej më parë,” tha Price. Ai shtoi se administrata Biden i përmbahet pozicionimit për stabilitet strategjik në angazhimet me Rusinë dhe “një mendësi e njëjtë do të ndiqej edhe në angazhimin me një fuqi tjetër bërthamore, Kinën”.
Besohet se Pekini zotëron sot gati 350 koka me mbushje bërthamore, 30 më shumë se vitin e kaluar, një shifër kjo e cila për pak i afrohet niveleve të SHBA-së apo Rusisë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Paqes në Stockholm. Price tha gjithashtu se Uashingtoni i ka dëgjuar me vëmendje komentet e Presidentit Xi Jinping në ceremoninë për 100 vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, i cili paralajmëroi se forcave të huaja që përpiqen ta frikësojnë Kinën “do t’u shtypet koka”.
Top Channel