I dënuar me 13 vite burgim për drejtim organizate kriminale/ Arrestohet i fundmi i Agimit të Artë

02/07/2021 15:38

Në pranga ka përfunduar mbrëmjen e së enjtes edhe numri dy i Agimit të Artë Christos Papas që ndodhej në arrati prej përfundimit dhe dhënies së dënimeve në gjyqin më historik në Greqi ndaj anëtarëve të partisë neonaziste tetorin  e kaluar.

Dora e djathtë e liderit të kësaj partie, Nikos Mihaloliakos, që ishte shpallur në kërkim nëntë muajt e fundit është arrestuar nga forcat e antiterrorit në një shtëpi në lagjen Zografu të Athinës dhe është shoqëruar në katin e 12 të Drejtorisë së Përgjithshme të policisë.

Atë e strehonte sipas informacioneve një grua 52 vjeç nga Ukraina, e cila thuhet se kishte marrë nënshtetësi greke kohët e fundit dhe madje ishte kandidate për këshillin bashkiak të Athinës në listën e Ilias Kasidhiaris, një prej oponentëve kryesorë të neonazisteve grekë.

Papas, tashmë 59 vjeç,  thuhet se nuk ka shfaqur asnjë shenjë kundërshtimi kur ka parë forcat e antiterrorit, ndërsa duket se ka mbetur i befasuar.

Bashkë me shumë liderë të tjerë të Agimit të Artë Christos Papas është dënuar në gjyqin e kësaj partie me 13 vjet e 6 muaj heqje lirie për  krijimin, drejtimin dhe pjësmarrjen në një organizate kriminale.

Christos Papas i lindur ne Athinë, është djali i një oficeri të ushtrisë, greke dhe bashkëpunëtor i një prej kolonelëve të juntës ushtarake. Adhurues i nazistëve dhe i Hitlerit, shpeshherë i fotografuar edhe me uniformën zyrtare të SS duke përshëndetur me dorën lart përpara një flamuri nazist, ai ka qene një prej themeluesve të Agimit të Artë dhe një prej mbështetësve më të mëdhenj të urrejtjes kundër të huajve në Greqi, sidomos ndaj shqiptarëve, për të cilët përdorte epitete nga më fyeset.

Me arrestimin e tij të gjithë liderët dhe deputetet e kësaj force politike që pas krizës ekonomike në 2010 për disa vite u bë forca e tretë politike në vend si dhe pjesë e parlamentit, tashmë ndodhen pas hekurave të burgut.

Top Channel