“Fundi” i një lufte/ SHBA dorëzon bazën e Bagramit në Afganistan

02/07/2021 19:50

Ushtria amerikane u dorëzoi bazën Bagram forcave afgane të sigurisë, pas gati 20 vjetësh.Baza, e ndërtuar nga sovjetikët, është struktura më e madhe ushtarake e përdorur nga forcat amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, gjatë luftës së tyre kundër militantëve talibanë.

“Të gjitha forcat e koalicionit janë larguar nga Bagrami”, i tha një zyrtar amerikan agjencisë së lajmeve AFP.Largimi i tyre mund të sinjalizojë se tërheqja e plotë e forcave të huaja nga Afganistani është afër.Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se forcat amerikane do të largohen tërësisht nga ky vend deri më 11 shtator.

Zotime të ngjashme janë marrë edhe aleatët tjerë të NATO-s. Më 11 shtator shënohet 20-vjetori i sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA – ngjarje kjo që ka çuar në ndërhyrjen e huaj në Afganistan.Uashingtoni ka refuzuar të tregojë se kur do të largohen ushtarët e fundit amerikanë nga Afganistani, duke përmendur shqetësimet për sigurinë.

Talibanët, ndërkohë, kanë marrë kontrollin e disa qarqeve, duke shkaktuar frikë për shpërthimin e mundshëm të luftës civile, pas largimit të forcave të huaja.

Top Channel