Shoferi harroi të aktivizonte frenat e dorës! Makina përfundon në arë, plagosen 5 persona në Elbasan

01/07/2021 18:20

Një aksident është shënuar pasditen e sotme në fshatin Shelcan, në aksin rrugor Elbasan-Gjinar.

Gazetarja e Top Channel raporton se si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të plagosur pesë persona.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, ndërkohë që dyshohet se drejtuesi i automjetit me targa AA 506 MY ka lënë makinën e tij, tip fuoristradë, të ndaluar, pa frena dore.

27 vjeçari ka zbritur nga mjeti për të marrë diçka në banesë dhe makina e pasiguruar mirë ka lëvizur e ka përfunduar disa metra më poshtë, në një arë, bashkë me njerëzit që kishte brenda.

“Në fshatin Shelca, Elbasan, një mjet në oborrin e banesës ka rrëshqitur aksidentalisht pasi drejtuesi i mjetit shtetasi A.Q., 27 vjeç kishte zbritur nga mjeti për të marrë diçka në banesë dhe mjeti ka lëvizur nga vendi dhe për pasojë janë plagosur pasagjerët shtetasit, J.N., V.Ll. F.Q., G.N., dhe A.N.,të cilët janë transportuar në Spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e shkaqeve, ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA