Forumi i Prespës për Dialog mblodhi në Maqedoninë e Veriut politikbërës, ambasadorë, drejtues institucionesh dhe të rinj e të reja të Ballkanit Perëndimor.
E pranishme në këtë Forum, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, në një status në Facebook u shpreh se:
“Politikat tona të përbashkëta, bashkëpunimi me njëri-tjetrin dhe fqinjësia e mirë në rajon, na ndihmon të krijojmë një të ardhme më të mirë për të rinjtë, që ata të investojnë sa më shumë aftësi, energji dhe njohuri për zhvillimin ekonomik dhe social të vendeve tona”.
Gjatë fjalës së saj në forum, Kushi ka nënvizuar çështjen e mbajtjes së të rinjve në vendin e tyre dhe parandalimi i largimit nga shteti mëmë, si një ndër çështjet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe rajonin.
“Mendoj se ky është një nga problemet kryesore me të cilin përballemi të gjithë tani në vendet tona, dhe për këtë arsye ne mund ta përdorim këtë takim si një mundësi për të ndarë pikëpamjet tona, përvojat tona, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjet më të mira dhe të qëndrueshme. Rinia është një prioritet absolut për Shqipërinë, dhe ne gjithmonë i mbështesim ata duke ofruar projekte të reja dhe mundësi të reja” – theksoi Ministrja.
Ajo shtoi se Shqipëria ka analizuar me kujdes shkaqet e largimit të të rinjve, siç janë arsimimi dhe punësimi.
“Prandaj ne po punojmë shumë si për rritjen e cilësisë në arsim, po ashtu edhe për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë” – nënvizoi Ministrja Kushi.
Top Channel