Opinioni publik italian është tronditur nga një video që është publikuar së fundmi, e cila pasqyron dhunën ndaj të arrestuarve në burgun Santa Maria Capua Vetere, në afërsi të Napolit.
Pamjet janë regjistruar nga ambientet e brendshme të burgut dhe sulmi i organizuar ndaj të burgosurve ndodhi në 20 Prill, 2020. Mediet e huaja shkruajnë se një ditë më parë, të arrestuarit kishin protestuar duke kërkuar teste dhe maska për mbrojtjen e koronavirusit.
Videoja tregon qartë se zyrtarët e burgjeve godasin të burgosurit në kokë, madje edhe ata me aftësi të kufizuara, në korridoret dhe zonat e burgut. Shumë u detyruan të gjunjëzoheshin, krejtësisht të zhveshur, ndërsa zyrtarët e burgut i rrihnin me shkopa gome.
Në një shkëmbim mesazhesh, disa zyrtarë të burgut shkruanin: “Ne do t’i vrasim si viçat”.
Prokurori i Santa Maria Capua Vetere ka filluar një hetim dhe deri më tani, pesëdhjetë e dy anëtarë të policisë penitenciare janë vënë në hetim për këtë çështje. 21 të pandehur u dërguan në arrest shtëpie dhe 23 u larguan nga puna.
Sot, Partia Demokratike e qendrës së majtë i kërkoi Ministres së Drejtësisë, Marta Cartabria, të informonte parlamentin në detaje për këtë ngjarje të tmerrshme.
Top Channel