Izraeli thellon bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe

30/06/2021 16:49

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid, tha të mërkurën (30 qershor) se po planifikohet nënshkrimi i më shumë marrëveshjeve të bashkëpunimit mes vendit të tij dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të dyja vendet, kanë normalizuar raportet në shtator të vitit 2020, duke i hapur rrugën një mori marrëveshjesh duke filluar nga turizmi dhe aviacioni deri te shërbimet financiare.

“Ne do të nënshkruajmë më shumë marrëveshje në korrik në Izrael”, u tha gazetarëve Lapid.

Komentet e Lapid u bënë gjatë hapjes së një konsullate izraelite në Dubai, një ditë pasi hapi ambasadën në kryeqytetin, Abu Dhabi.

“Kjo nuk është vetëm një konsullatë por një qendër bashkëpunimi. Një vend që simbolizon aftësinë tonë për të menduar së bashku, për të zhvilluar së bashku, për të ndryshuar botën së bashku”, tha ai.

Të mërkurën shefi i diplomacisë izraelite gjithashtu vizitoi panairin Expo 2020 Dubai, në të cilin Izraeli do të marrë pjesë së bashku me më shumë se 190 vende.

Izraeli, përveç me Emiratet e Bashkuar Arabe, ka arritur marrëveshje për normalizim të raporteve edhe me Bahreinin, Marokun dhe Sudanin.

Marrëveshjet shënuan një shkëputje nga politika disa dekadëshe e vendeve arabe që të mos normalizojnë raportet me Izraelin pa u zgjidhur çështja e konfliktit me palestinezët.

Lapid shprehu shpresat se marrëveshje të tilla do të arrihen me “të gjithë rajonin”./REL/

Top Channel