Një 56-vjeçar, i diagnostikuar me Alzheimer harroi që martesën e tij dhe i propozoi gruas për herë të dytë.
Peter Marshall dhe dashuria e jetës së tij Lisa, organizuan një ceremoni të dytë në 26 prill në Connecticut Peter nuk mbante mend asgjë nga dita e dasmës në gusht 2009.
Dyshja janë të martuar për 12 vjet. Të afërmit mësuan se Peter vuante nga sëmundja e kujtesës, në vitin 2018. Shumë gjëra u fshinë nga kujtesa e tij, përfshirë dhe martesën me 54-vjeçaren.
Në dhjetor të vitit të kaluar, teksa shikonte një skenë martese në televizion me Peter, Lisa thotë se ai i propozoi asaj për martesë.
“Unë thashë: çfarë?…dhe ai tregoi skenën e dasmës në TV dhe unë e pyeta: A dëshiron të martohesh? Ai tha po dhe e kishte një buzëqeshje të madhe në fytyrë”, shpjegoi Lisa për NBC New York.
Ajo shtoi: “Ai nuk e di që unë jam gruaja e tij. Unë jam thjesht personi i tij i preferuar…Ka qenë shkatërruese, por unë kam bërë çmos që të qëndroj pozitive”.
Peter dhe Lisa jetonin përtej rrugës nga njëri-tjetri në të njëjtën lagje të Pensilvanisë dhe ndërsa ishin miq, lidhja e tyre u bë romantike në vitin 2001 pasi të dy ishin divorcuar, shkruan britanikja “Metro”.
Të dy takoheshin në distancë për tetë vjet pasi Peter u transferua në Connecticut për punë ndërsa Lisa qëndroi në Pensilvani për arsye familjare. Por pasi fëmija i vogël i Lizës u largua nga shtëpia për të shkuar në kolegj, çifti më në fund vendosi të martohej, dhe Liza u transferua në Connecticut për të jetuar me Peter.
Peter u detyrua të linte punën në janar 2019 për shkak të përkeqësimit të kujtesës. Vitin tjetër, Lisa gjithashtu duhej të linte punën e saj për t’u bërë kujdestare me kohë të plotë e Peter.
Pas propozimit të Peter, në dhjetor ai dhe Lisa vendosën të rinovonin zotimet e tyre të dasmës me ndihmën e vajzës së Lizës, Sarah Brehant, e cila ka një biznes të planifikimit të dasmave.
Sarah inkurajoi nënën e saj për ta bërë atë, duke ofruar të organizonte të gjithë ceremoninë.
Ceremonia ndodhi më 26 prill dhe çifti u zotuan sërish për njëri-tjetrin para familjes dhe miqve të ngushtë.
Top Channel