Një aksident është regjistruar mesditën e sotme në Vlorë.
Drejtuesi i automjetit tip ‘Golf’ ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një dyqan lulesh!
Dyshohet se shkak është bërë shpejtësia e lartë me të cilën shoferi po drejtonte automjetin.
Në makinë udhëtonin dy të rinj, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet me dije, ndërsa fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk është lënduar si pasojë e përplasjes.
Një banore aty pranë tregon për Top Channel se pasi dëgjoi një zhurmë doli në ballkon për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ajo tha se policia dhe ambulanca mbërritën me shpejtësi në vendngjarje por dy të rinjtë janë larguar me shpejtësi nga vendi ku ndodhi aksidenti.
“Në momentin që ka ndodhur aksidenti dëgjova zhurmën dhe dola në ballkon. Pashë makinën të futur në dyqan, vjen policia dhe ambulanca në ato momente. Ambulanca iku bosh sepse s’kishte njeri në makinë. Ishin dy persona, ndodhi aksidenti, dolën nga makina dhe ikën me vrap”, shprehet qytetarja.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.
Top Channel