Dalin pamjet/ Momenti kur helikopteri i presidentit kolumbian qëllohet me plumba nga toka

29/06/2021 15:39

Pamje të publikuara nga mediet e huaja treguan momentin kur një helikopter ushtarak që transportonte presidentin kolumbian Iván Duque u qëllua me armë zjarri nga toka në një përpjekje të dështuar për rrëzimin e tij.

Ngjarja ndodhi kur helikopteri po fluturonte mbi një qytet pranë kufirit me Venezuelën. Drejt mjetit u lëshuan dhjetëra plumba, disa nga të cilët dhe e kanë goditur.

Megjithatë, piloti arriti ta ulte helikopterin në mënyrë të sigurt në Aeroportin Camilo Daza në Cúcuta. Duque shoqërohej nga ministri i Brendshëm, Daniel Palacios, ministri i Mbrojtjes, Diego Molano, guvernatori i departamentit Norte de Santander, Silvano Serrano dhe disa zyrtarë të tjerë vendas. Asnjeri nga personat në bord nuk u lëndua.

Ministri i Mbrojtjes deklaroi më vonë se pas përpjekjes për të rrëzuar mjetin ku udhëtonte presidenti mund të qëndrojë Ushtria Nacionalçlirimtare, grupi më i madh rebel në vend, në bashkëpunim me disidentët e Frontit 33 të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), por edhe trafikantëve të drogës që janë mjaft aktivë në këtë zonë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel