Angli/ Mori me qira shtëpi për fermë kanabisi, cili ishte gabimi që e çoi në pranga shqiptarin?!

29/06/2021 15:56

25-vjeçari shqiptar, Anis Hamollari e kishte planin të përgatitur: ai do të merrte me qira një apartament për ta përdorur më pas si fermë kanabisi.

Mendonte se e kishte çdo gjë nën kontroll. I riu kishte depozituar 6,438 paund për shtëpinë me tre dhoma gjumi në Exeter, por bëri një gabim: u përpoq të korruptonte agjentët e pasurive të paluajtshme, të cilët ishin lajmëruar nga fqinjët se një erë e fortë vinte nga banesa dhe i kishin kërkuar të kontrollonin ç’po ndodhte.

Ata zbuluan se 25-vjeçari ishte përpjekur të krijonte brenda banesës kushtet për rritjen e bimëve narkotike. Që të mos flisnin, shqiptari i ofroi 7 mijë paundë, por ata refuzuan dhe ai atëherë u largua me shpejtësi. Policia gjeti më pas në banesë 97 bimë kanabis sativa, me një vlerë tregu prej prej 200 mijë paundësh. Arratia e Hamollarit nuk zgjati shumë: i riu u arrestua e u dënua me 18 muaj burg.

Prokurori Richard Crabb tha se kur kishte marrë shtëpinë me qira, shqiptari kishte përdorur emër të rremë me dokumente italiane.

25-vjeçari i tha policisë se ishte trafikuar në Britani nga banda kriminale, të cilat dhe e kanë detyruar që të kryente këto shkelje.

Top Channel