Eduart Gushi, Silvana Gushi, Eva Gushi dhe Anastasia Gushi që humbën jetën në aksidentin tragjik të ditës së djeshme po përcillen sot për në banesën e fundit.

Dhjetëra të afërm e familjarë janë mbledhur sot në banesën ku jetonte Eduart Gushi së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët 9 dhe 14-vjeç, ndërsa shpenzimet janë marrë përsipër nga Bashkia Patos.

Një i afërm i familjes me pikëllim të madh pohoi për mediat se e njihte shumë mirë këtë familje, që kishte emigruar drejt Greqisë për një jetë më të mirë, por fati i tyre u pre dje në mes në një aksident tragjik.

“Ishte një familje shumë e mirë, me të tëra kushtet. Edhe unë kur e mora vesh, në orën nëntë, qava. Unë që e njoh më dhemb shpirti, sidomos për prindërit, u mbyll dera. I njihja shumë mirë dhe ishin në hallet e veta. Ka bërë këto shtëpitë me ato 5 lekë që bënte andej. U prish një fole e madhe për mua dhe gjithë popullin e Patosit”, u shpreh ai për mediat.

Anastasia, Eva, dy vajzat e mitura të Eduardit dhe Silvanës u shuan bashkë me prindërit ndërsa po gëzonin për pushimet që do kalonin në Shqipëri.

Herët në mëngjes ishin nisur për te gjyshërit që nuk do t’i takojnë dot kurrë. Vdekja e katër anëtarëve të familjes nga Patosi, emigrantë në Greqi, nuk ishte thjesht një aksident fatkeq. Ajo vdekje ishte vrasje dhe si vrasje duhet trajtuar nga Drejtësia.

Fatkeqësia është se vrasje të tilla po ndodhin shpesh, vrasje të tilla nuk po ndalen sepse autoritet nuk po reagojnë, policia nuk po reagon. Policia e shtetit me tolerancën e saj ndaj të fortëve po bëhet shkak për vrasje të tilla.

Disa orë pas aksidentit u lajmërua arrestimi i 22 vjeçarit Igli Madani si shkaktar i vrasjes. Me automjetin e tij 100 mijë eurosh, ai ecte me shpejtësi skëterrë në rrugë deri sa bëri gjëmën. Askush nuk e ndali 22 vjeçarin në rrugëtimin e tij të çmendur, asnjë nga postblloqet e shumta që policia vendos në rrugë për shoë apo për t’ju vënë gjobë atyre që ndalojnë.

Sepse ata që nuk ndalojnë, si 22 vjeçari apo bashkëmoshatari i tij pak muaj më parë në mes të Tiranës, janë të paprekshëm. Ata, dhe të fortët mund të bëjnë çdo gjë në këtë vend, edhe të na marrin jetën dhe policia është tolerante, nuk i prek, ata nuk dënohen.
Me ndihmën e policisë ata na kërcënojnë, na shantazhojnë, na fyejnë sa herë dalin në rrugë.

Arroganca e tyre i ka rrënjët te pandëshkueshmëria, sepse policia i toleron aq sa të bëhen vrasës.

Nëse disa prej tyre do ndaloheshin, do penalizoheshin e burgoseshin, sot katër anëtarët e familjes nga Patosi do ishin gjallë.

Në 120 kilometrat e rrugës nga Tirana për në Vlorë, janë disa postblloqe policie, nëse ndonjë prej tyre në zbatim të ligjit do kishte ndalur e do kishte bllokuar makinën 100 mijë euro që ecte me shpejtësi, sot shumë jetë do ishin shpëtuar përfshi edhe jetën e vetë autorit të kësaj vrasje.

FOTO GALERI
7/22

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA