Rubjan Kaca, 19-vjeç, banues në Tiranë, është vënë nën prangat e policisë ditën e sotme, pasi u kap duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind as urdhrit të Policisë për të ndaluar.
Kaca ishte duke udhëtuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, kur është konstatuar dhe i është bërë me shenjë nga policia që të ndalonte.
19-vjeçari nuk iu bind urdhrit të tyre dhe është larguar me shpejtësi, ndërsa është kapur vetëm pak minuta më vonë nga blutë e Korçës.
“Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Çërravë, shtetasin e mësipërm i cili ishte duke lëvizur me mjetin tip “Volkswagen” dhe i kanë bërë me shenjë drejtuesit të mjetit që të ndalonte. Shtetasi R. K., nuk iu është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve 19-vjeçari kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel