Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga qendra e vaksinimit të përqendruar në Vlorë, ka shpallur ditët e hapura të vaksinimit masiv antiCOVID19, për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç, në të gjithë vendin.

“Bazuar në rekomandimin e ekspertëve të ISHP, ne kemi vendosur -ashtu sikurse edhe në shumë vende në Botë e kanë praktikuar- që e marta dhe e mërkura e ardhshme të jenë ditë vaksinimi të hapura. Pra datat 29-30 qershor do të jenë ‘open days’ për vaksinimin e popullatës plus 18 vjeç”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ftoi qytetarët që janë mbi 18 vjeç, të aplikojnë në portalin e-Albania, për të rezervuar vaksinën antiCOVID dhe për ta kryer gjatë dy ditëve të hapura të vaksinimit masiv kudo në territor.

“Ne do të përdorim platformën e-Albania, që të gjithë qytetarët që janë të interesuar për t’u vaksinuar, të mund të aplikojnë nga dita e nesërme, e diela dhe e hëna për të kërkuar për t’u vaksinuar dhe sistemi E-Albania do të njoftojë vendin e vaksinimit, sipas qyteteve dhe do të jenë kryesisht qendrat e vaksinimit të përqëndruar ato të cilat do realizojnë vaksinimet për ditët e hapura”, tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino u shpreh se vaksinimi i moshave më të reja është i rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe shmangien e shpërthimeve epidemike të mundshme të variantit të ri Delta.

“Vaksinimi po ecën mjaft mirë. Kemi një mbulesë mjaft të mirë vaksinale sidomos tek personat mbi 70 vjeç, që është një grup mjaft i prekur nga pikëpamja e vdekshmërisë, kështu që është një element i mirë që ne pothuajse, po arrijmë 70 përqind të kësaj grup moshe, por edhe ato grupmoshat e tjera janë goxha mirë dhe prandaj ka rëndësi që ta ulim dhe më tepër grupmoshën, që të ndërgjegjësojmë dhe të rinjtë, sidomos me daljen e variantit Delta, që mund të prekë të rinjtë”, tha Bino.

Ministrja e Shëndetësisë ka ritheksuar se sezoni i verës do të jetë një sezon i vaksinimit masiv, duke vaksinuar edhe në shtëpi, edhe në fshatrat më të largëta, ku nuk është mbuluar e gjithë popullata, sidomos më të moshuarit, që kanë pamundësi të shkojnë pranë qendrave të vaksinimit.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 930,126 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 389,436 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA