DETAJE/ Sekuestrohet 17 kg heroinë në Hanin e Hotit, u kapën në kamionin që po shkonte në Mal të Zi

26/06/2021 21:39

Një sasi lënde narkotike e llojit heroinë është sekuestruar mbrëmjen e sotme në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit.

Në kamionin me targa shqiptare që kishte destinacion Malin e Zi u gjetën dhe sekuestruan 17 kg heroinë.  Pasi u ndalua në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, kamioni u shoqërua për në Portin e Durrësit ku iu nënshtrua kontrollit të imtësishëm me skaner.

Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në kamion kishte të fshehur rreth 17 kilogramë lëndë narkotike te dyshuar heroinë. Nga veprimet e para hetimore është arrestuar në flagrance drejtuesi i kamionit ku u gjet lënda narkotike.

Grupi hetimor vijon punën për  zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë për trafikim të drogave të forta.

Kujtojmë se më 19 qershor, u kapën 324 kg kokainë në portin detar të Durrësit. Droga u gjet në kamionin që drejtohej nga Nazif Ajroski, shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe kishte si destinacion pas mbërritjes me traget në Ankona, zonën e Xhenovas në Itali ku do të shkarkonte ngarkesën me hekur që transportonte.

Në automjet u gjet e fshehur pas kontrollit fizik, sasia e kokainës e ambalazhuar me logot e disa firmave të njohura, si “Dior”, “PSG” e “Chicago Bulls”. Shoferi i arrestuar është lënë në burg për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.

Ndërsa një muaj më parë, më 19 maj, rreth 123.500 paund dhe 280 sterlina u sekuestruan në portin e Durrësit. Sasia e parave ishte fshehur në prapakolpin e një furgoni që vinte nga Anglia. Paratë ishin të mbledhura në 12 pako.

Për këtë rast, policia ka pasur informacione më herët që në portin e Durrësit do të vinte një furgon për të cilin kishin dyshime. Për këtë arsye, autoritetet doganore e kaluan furgonin në zonën e rrezikut, ku iu nënshtrua një kontrolli më të imtësishëm në skaner. Pikërisht aty u dalluan edhe pakot e fshehura me paund dhe stërlina.

Furgoni me targa angleze, sipas informacioneve të Top Channel, e bënte shpesh këtë rrugë dhe shpërndante mallra dhe porosi nga Anglia, në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Shoferi furgonit ishte 21 vjeçari Olsi Sefolli, i cili u arrestua në flagrancë.

Mbi Sefollin rëndojnë tre akuza; Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe ” Kontrabanda me mallra të tjerë.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel