Një familje emigrantesh u shua këtë mëngjes në një aksident tragjik që ndodhi në rrugën Fier – Vlorë.

Babai, nëna dhe dy vajzat po udhëtonin për të vizituar të afërm në Vlorë ku dhe do të bënin pushimet.

Përplasja me një automjet ishte fatale, ndërsa në gjendje të rëndë janë tre personat të cilët udhëtonin me makinën tjetër.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se Eduardi, babai i dy vajzave të mitura 14 dhe 9 vjeçe ishte emigrant prej 20 vitesh në Greqi. Ata kishin ardhur në Shqipëri për pushime.

Por paraprakisht do të shkonin në shtëpinë e prindërve të vajzës në një fshat të Vlorës e prej andej do të nisnin pushimet. Në shtëpinë e Eduardit në fshatin Dukas të Patosit nuk jeton askush pasi edhe prindërit e tij jetojnë në Greqi.

Mësohet se viktimat që ishin duke udhëtuar me makinën tip “Toyota” më targa greke janë: Eduart Gushi, Silvana Gushi, Anastasia Gushi dhe Eva Gushi.

Ndërsa tre personat që ishin duke udhëtuar në automjetin tip “Audi” dhe që aktualisht ndodhen në spital në gjendje të rëndë shëndetësore ishin nga Tirana. Ata janë identifikuar si Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi.

Ndërkohë policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.

FOTO GALERI
5/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA