Publikohet video tmerruese brenda pallatit 12 katësh që u shemb në Miami, ende dhjetëra të pagjetur nën rrënoja

25/06/2021 11:28

Dhjetëra vetë figurojnë të humbur dhe besohet se kanë gjetur vdekjen nën rrënojat e një kompleksi banimi.

Të paktën një person është konfirmuar i vdekur, teksa dhjetëra të tjerë janë nxjerrë deri tani gjallë nga rrënojat.

Mediat e huaja kanë publikuar një video nga brenda ndërtesës 12 katëshe pranë Majamit të Floridës që u shemb pjesërisht të enjten në mëngjes.

Pamjet kanë regjistruar sekondat para se ndërtesa të shembej dhe duket qartë se banorët nuk do të kishin kohë për të reaguar. Video 13 sekondëshe, e postuar në twitter tregon ambientet e apartamentit përpara se vendi të fillojë të dridhet dhe video të ndërpritet.

Një pjesë e kompleksit 12-katësh të banimit në zonën Sërfsajd në brigjet e Atlantikut u shemb në 1:30 pas mesnate. Deri në orët e vona të pasdites afro 100 vetë ende figuronin të humbur, thanë autoritetet, duke zgjuar shqetësime se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm. Zyrtarët nuk e dinë sa vetë ishin në ndërtesë në momentin e shembjes.

Për orë të tëra pas shembjes vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Ekipet nxorën një nënë dhe fëmijën e saj, pasi u detyruan t’i presin gruas këmbën, tha shefi i shërbimeve emergjente për Majamin.

Specialistët po përpiqen të futen në ndërtesë nga një garazh i nëndheshëm.

Autoritetet nuk kanë bërë spekulime për shkakun e shembjes. Në video shihet pjesa qendrore që shembet e para, ndërsa seksioni më pranë bregut dridhet dhe fillon të shembet disa sekonda më pas. Ndërkohë një re e madhe pluhuri mbështjell gjithë zonën.

Mësohet se në tarracën e ndërtesës po bëheshin punime, por zyrtarët thonë se nuk shohin mundësi që këto punime të kenë shkaktuar shembjen.

FOTO GALERI
5/19

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA