Ditën e sotme, shkëputja e një pjese muri nga fasada e një pallati të dëmtuar nga tërmeti shkaktoi vetëm dëme materiale, në qytetin bregdetar të Durrësit.
Ngjarja ndodhi në lagjen 5, një nga zonat me shumë objekte banimi të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Shkëputja e inerteve nga pallati dëmtoi një automjet të parkuar në rrugën poshtë objektit, ndërsa vetëm fati e ka ndihmuar një qytetar që po kalonte aty në atë moment.
Në Durrës ka shumë pallate të dëmtuara rëndë në fasada dhe që përbëjnë rrezik për sigurinë e qytetarëve që lëvizin normalisht pranë tyre, pasi nuk është vendosur asnjë perimetër sigurie përreth tyre.
Ndërkohë problem mbetet fakti se, ndonëse ato janë të pabanuara dhe banorët mbulohen me bonos qiraje derisa të vendoset për llojin e ndërhyrjeve në to, katet e para të këtyre godinave kryesisht janë në përdorim nga subjekte të ndryshme që ofrojnë shërbime.
Top Channel