Nuk pyet për variantin Delta, Italia vendos heqjen e maskave!

22/06/2021 14:52

Nga 28 qershori, Italia ka vendosur të heqë detyrimin për mbajtjen e maskës  në ambiente të jashtme.

Qeveria italiane vendosi ta hedhë këtë hap nisur nga fakti që numri i infektimeve me Covid 19 dhe i shtrimeve në spital ka rënë ndjeshëm. Detyrimi për maskat ishte vendosur që tetorin e vitit të kaluar, kur fqinji ynë përtej Adriatikut, një ndër shtetet që u prekën më rëndë prej pandemisë, po hynte në valën e dytë të koronavirusit dhe autoritetet po luftonin për të frenuar rastet në rritje.

“Nga 28 qershori, ne do te heqim dorë nga mbajtja e maskave jashtë, në zonat e bardha”, deklaroi ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza. Nga kjo datë, e gjithë Italia pritet të shpallet zonë e bardhë, cka nënkupton nivelin më të ulët të rrezikut nga koronavirusi. Per momentin, 19 nga 20 rajonet e Italisë janë të bardha, Vetëm zona veriore e Valle d’Aosta është e verdhë.

Vendime të ngjashme për maskat kanë ndërmarrë edhe shtete te tjera europiane, të tilla si Franca dhe Spanja, pavaresisht shqetësimeve që ka ngjallur përhapja e shpejtë evariantit Delta të koronavirusit.Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, Italia ka regjistruar mbi 4.2 milionë raste të të infektuarve dhe mbi 127,000 viktima. Rreth 26% e italianëve janë imunizuar plotësisht kundër koronavirusit, ndërsa gati 52% kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Top Channel