Kartëmonedha më e madhe e lekut (10 mijë lekë) do të dalë në qarkullim muajin tjetër.

Njëkohësisht me të, në treg do të dalë dhe prerja e re e 1 mijë lekëshes, me elementë të shtuar të sigurisë dhe cilësisë së kartëmonedhës.

Por, çfarë ndikimi kanë këto kartëmonedha të shtuara, në tregun financiar?
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko sqaron se paratë e reja nuk ndikojnë në inflacion dhe nuk është inflacioni arsyeja që hidhen në qarkullim tani.
Paraja e kartëmonedhës ndjek modelin e inflacionit. Kur ka inflacion të lartë, priten kartëmonedha me nivel të lartë. Ne nuk jemi në këtë situatë. Kjo është studiuar në vite dhe ëhstë si nevojë e sistemit të pagesave. Ne madje duam ta rrisim inflacionin, sepse është në nivel pak më të ulët se objektivi i Bankës së Shqipërisë”.

Sipas guvernatorit, “kishte ardhur koha që të vinte një prerje më e lartë, si pasojë e analizave të kryera”.

Ndërkohë, politikat e Bankës Qendrore synojnë që të rriten pagesat nëpërmjet kartave bankare, për të shmangur informalitetin dhe për të rritur transparencën. Në të njëjtën kohë, prodhohen kartëmonedha të reja.

Guvernatori shpjegon se “prerjet e kartëmonedhës janë një gjë tjetër dhe modernizimi i sistemit të pagesave, lufta kundër informalitetit, formalizimi dhe puna me paranë elektronike dhe kartat e debitit e kreditit janë iniciative të tjera, që ecin paralelisht. Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet më të zhvilluara.
Masat kundër informalitetit janë një set tjetër masash, të cilat janë pjesë e reformave strukturore, që duhet të ndërmerren nga qeveria shqiptare, Banka e Shqipërisë dhe të gjithë aktorët e tjerë ligjzbatues”.

Më tej, Sejko thekson se eurozona mbetet qëllim për Bankën Qendrore. Por, a po përgatitemi realisht për të zëvendësuar lekun me euron?
Shqipëria është në një fazë të caktuar të zhvillimit ekonomik dhe për të shkuar drejt eurozonës ne do të duhet të vazhdojmë me procesin e deorizimit, pra forcimi i përdorimit të monedhës kombëtare.
Në shit-blerjen e lirë të tregut kombëtar duhet të përdoret monedha kombëtare, më shumë seç përdoret. Sepse përdorimi i monedhës kombëtare i jep Bankës Qendrore mundësi që të transmetojë më mirë politikat monetare, që nxit konsumin, investimin, që përkthehet direkt në rritje ekonomike dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Dhe nga ana tjetër, për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar, për të ruajtur bankat dhe depozitat. Në rast se kreditë vazhdojnë jepen me euro, ndërkohë që të ardhurat janë në lekë dhe nëse do të kishim zhvlerësim të lekut (inflacion), qytetarët dhe bizneset do të dështojnë të paguajnë kreditë. Kjo do të krijonte një kaos.
Kur Shqipëria të ndryshojë e të arrijë një nivel të caktuar ekonomik, atëherë politikat do të synojnë drejt përdorimit të euros.
Modeli jonë i jetesës është drejt euros, përpjekjet janë drejt Bashkimit Evropian, ne e kemi drejtimit drejt Perëndimit”.

Top Channel