Përjashtimi i Spanjës, reagon NATO/ E-mail i Pentagonit për ndëshkimin e atyre që nuk ndihmuan SHBA, aleanca: Nuk ekziston si nen

24/04/2026 19:37

NATO ka thënë se nuk ekziston asnjë dispozitë për pezullimin apo përjashtimin e shteteve anëtare nga aleanca ushtarake, pasi u zbulua një raport ku thuhej se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kërkojnë pezullimin e Spanjës për shkak të qëndrimit ndaj luftës me Iranin.

Më herët, “Reuters” kishte cituar një zyrtar amerikan që thoshte se një e-mail i brendshëm i Pentagonit kishte sugjeruar disa masa që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të marrin për të ndëshkuar aleatët që, sipas saj, nuk kishin mbështetur luftën në Iran.

E-maili gjithashtu thoshte se SHBA-ja do ta rishikonte qëndrimin ndaj pretendimit të Mbretërisë së Bashkuar mbi Ishujt Falkland në Atlantikun jugor, të cilët gjithashtu pretendohen nga Argjentina.

Por një zyrtar i NATO-s i tha BBC-së se traktati themelues i organizatës “nuk parashikon asnjë dispozitë për pezullimin apo përjashtimin nga anëtarësia në NATO”.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, gjithashtu e ka hedhur poshtë raportin.

“Spanja është një partner i besueshëm brenda NATO-s; ne i përmbushim të gjitha detyrimet tona kundrejt aleancës. Po vendosim kapacitete ushtarake dhe gjithashtu trupa në krahun lindor të Europës. Pra, nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Por mendoj se është e rëndësishme që vendet europiane, aleatët europianë, të mund të ndajnë mendime dhe informacione përpara se të filloheshin luftëra, si ajo që po vuajmë tani në Lindjen e Mesme, sepse kjo pjesë e botës është afër Europës”, tha Sánchez.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s për hezitimin për të luajtur një rol më të madh pasi SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin në fund të shkurtit dhe Irani më pas kufizoi transportin detar përmes rrugës kyçe të Ngushticës së Hormuzit.

Spanja ka refuzuar të lejojë përdorimin e bazave ajrore në territorin e saj për sulme ndaj Iranit. Aktualisht, SHBA ka dy baza ushtarake në Spanjë.

Top Channel