I dënuari përjetë transferohet nga burgu i Peqinit në atë të Burrelit, i gjendet drogë në çorape pas kontrollit në qeli

24/04/2026 20:56

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, bazuar në informacionet paraprake të marra në rrugë operative nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi për arsye sigurie është kryer transferimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm, Miklovan Parubi, nga IEVP Peqin në IEVP Burrel.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në IEVP Burrel, në materialet personale të të dënuarit është konstatuar, e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike.

Menjëherë janë njoftuar drejtuesit e institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve si dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse.

Ngjarja po ndiqet sipas procedurave ligjore në fuqi.

Top Channel