Përurimi i parkut Helen në liqenin e Farkës/ Kryebashkiaku i Athinës: Hapësirë e pikëtakimit njerëzor që ka munguar nga kriza e pandemisë

18/06/2021 16:36

Kryetari i Bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis mori pjesë në përurimin e Parkut Helen në liqenin e Farkës në Tiranë.

Kryebashkiaku i Athinës ishte ftuar nga Erion Veliaj, të cilin e falënderoi së bashku me ekipin e tij dhe atë të ambasadës së Greqisë për bashkëpunimin për realizimin e kësaj hapësire në liqenin e Farkës.

Bakoyannis tha se është i entuziazmuar që ky park është hap i rëndësishëm për takimin e njerëzve që ka munguar shumë gjatë vitit të pandemisë. Urimi i fundit që bëri ishte për Shqipërinë që flamuri të valëvitet pranë flamurit grek dhe atij të BE.

Kostas Bakoyannis: Dëshiroj të shpreh gëzimin tim të madh që ndodhem këtu mes jush se takohem me mikun tim që na nderoi me ftesën që na bëri dhe gjithmonë na tërheq me dinamizmin, efektivitetin e tij por është dhe një gëzim i madh sepse nuk mund të mendoj një festë më të mirë e më të bukur për 200 vjetorin e luftës së grekëve për liri jashtë kufijve të Greqisë.

Vlerat e revolucionit grek, liria, demokracia, paqja, mirëqenia, përparimi kanë marrë rëndësinë e tyre nëse do të kemi mundësi t’i ndajmë të gjitha së bashku në këtë lagje të trazuar të Ballkanit. Jemi të dënuar nga historia, nga gjeografia, por edhe nëse nuk do ishim të dënuar, përsëri do zgjidhnim të bashkëjetonim sepse ato që na bashkojnë janë më të shumta se ato që na ndajnë. Ne ndajmë një gjë të përbashkët, kemi kode të përbashkëta komunikimi dhe nëse diçka është vërtetuar historikisht, është që sa herë bashkojmë forcat tona, trupin dhe shpirtin, atëherë mund të arrijmë shumë gjëra.

Ky park i mrekullueshëm në këtë vend me të vërtetë të bekuar, afër këtij liqeni të bukur, i dashur kryetar ndoshta e gjejmë më vonë atë shtojzovallen, besoj se është një hap i rëndësishëm se veç simbolikës, ka edhe esencë dhe kjo gjë është ajo që ne kërkojmë në pushtetin vendor, ato rezultatet e dukshme, të prekshme, argëtim, aktivitete sportive, kulturë, pra është një hapësirë e përbashkët pikëtakimi njerëzor që kaq shumë na ka munguar  nga kriza e pandemisë.

Ne pas pak minutash do të ikim dhe do të vijnë këtu fëmijët, prindërit e tyre, të rinjtë, kjo do të jetë përditshmëria e re dhe këtë përditshmëri synojmë ta kemi dhe në Tiranë dhe në Athinë. Në përfundim do të dëshiroja të them një falënderim të madh dhe ta përgëzoj ambasadoren tonë dhe ekipin e saj të mrekullueshëm, një pjesë të madhe të të cilëve e njoh nga e kaluara, të them një faleminderit të madh për të gjithë biznesmenët që e përqafuan këtë propozim, bashkëpunimin mes sektorit publik dhe privat dhe pikërisht të shkoj edhe një herë tek kryetari i Bashkisë, e falënderoj së bashku me ekipin e tij. Uroj që flamujt tanë të valëviten pranë njëri tjetrit dhe krah flamurit të BE. Faleminderit të gjithëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA