Aventura e Gennaro Gattusos në pankinën e Fiorentinës mund të përfundojë pa nisur ende. I emëruar trajner i skuadrës vjollcë menjëherë pas përfundimit të sezonit, ish tekniku i Napolit ka pasur përplasje me drejtuesit e klubit dhe mund të largohet pa nisur ende punë.
Shkak janë bërë disa përplasje për merkaton, pasi dy futbollistët e kërkuar me ngulm nga Gattuso janë mesfushori i Portos, Oliveira dhe sulmuesi anësor i Valencias, Guedes, të cilët përfaqësohen nga Jorge Mendes, njëkohësisht edhe menaxher i trajnerit.
Megjithatë drejtuesit e klubit vjollcë nga njëra anë kanë hasur në pretendimet e larta të menaxherit portugez dhe nga ana tjetër në këmbënguljen e Gattusos për t’i pasur me patjetër këta futbollistë në skuadër, ndaj po mendojnë divorcin me trajnerin.
Sipas mediave italiane, ditët e fundit ka pasur disa përplasje mes drejtuesve dhe trajnerit Gattuso, ndaj klubi vjollcë nuk e ka depozituar ende në Ligë kontratën me teknikun italian dhe po studion mundësinë e afrimit të dikujt tjetër në pankinë.
Gjithsesi fjalën e fundit pritet ta thotë presidenti Rocco Commisso, i cili ishte njeriu që këmbënguli për emërimin e Gattusos dhe brenda kësaj jave do të vendosë nëse do të mbështesë trajnerin, apo do të shkojë drejt një marrëveshjeje për prishjen e kontratës.
Top Channel