“Të lutem, kthehu në shtëpi, do të bëjmë si të duash ti”, me këtë mesazh e ka tërhequr drejt vdekjes të bijën Nazia Shaheen, në një ngjarje që ka tronditur prej ditësh Italinë.
“Bëhu e gjallë, ne po vdesim”, ishte një sms tjetër që nëna i dërgonte të bijës Saman me shpresën ta kthente në shtëpi. 18 vjeçarja kishte refuzuar një martese të rregulluar nga ana e familjes, ndërsa dashuronte dikë tjetër.
Vajza me origjinë pakistaneze rezulton prej një muaji e zhdukur dhe autoritetet italiane janë të bindura se ajo është viktimë e një vrasjeje për nder. E reja ishte strehuar në një qendër të specializuar, ku kishte kërkuar mbrojtje prej familjes së saj të cilën e kishte denoncuar për faktin se donin ta martonin kundër dëshirës së saj. Pas zhdukjes së miturës, të dy prindërit u larguan drejt Pakistanit duke arritur të shmangnin përballjen me policinë italiane.
Ata janë shpallur në kërkim për vrasje të paramenduar. Mendohet se personi që kreu ekzekutimin e 18 vjeçares ishte xhaxhai i saj, Danish Hasnain, edhe ai në arrati.
I vetmi i burgosur deri tani për ngjarjen e rëndë është kushëriri i Samanit, Ikram Ijaz i cili u arrestua në Francë teksa tentonte të largohej drejt Spanjës.
Top Channel