Vllaznia, Laçi dhe Partizani mësojnë kundërshtarët me të cilët do të përballen në raundin e parë kualifikues të kompeticionit më të ri europian, Conference League. Kështu, Vllaznia, nënkampione e Shqipërisë sezonin që lamë pas, do të përballet me Široki Brijeg të Bosnjë Hercegoninës. Një short i kënaqshëm për kuqeblutë e trajnerit Tomas Brdaric, pasi shmangën skuadrë më të fortë, Ferhevar të Hungarisë. Kuptohet që objektivi minimal i skuadrës shkodrane është kalimi i raundit të parë.
Partizani ndërkohë ka peshkuar skuadrën moldave, Sfintul Gheorghe. Në fakt, të kuqtë që në ndarjen e skuadrave në vazo ishin të qartë se do të kishin përballë një kundërshtar ne letër të kalueshëm. Shorti shmangu një derbi shqiptarësh me Llapin e Kosovës, që u vu përballë Shkupit.
Goglat i rezervuan si kundërshtare Laçit skuadrën malazeze, Podgorica. Vështirë të thuhet nëse kurbinasit ishin me apo pa fat, pasi të gjitha skuadrat me të cilat mund të përballej ekipi i Duros ishin në nivel të përafërt.
Drita e Kosovës do të sfidojë ekipin nga Tuzi i Malit të zi, Decic, ndërsa Struga, e cila siguroi një kualifikimin historik në Kupat e Europës në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut do të përplaset me skuadrën lituaneze Liepaja.
Ndeshjet e para do të luhen më 8 korrik, ndërsa sfidat e kthimit me 15 korrik./supersport
Top Channel