Michael Olise dhe kombëtarja e Francës janë të fokusuar te sfida e nesërme kundër Norvegjisë, ndeshje e vlefshme për xhiron e fundit të Grupit I në Kupën e Botës 2026. Të dyja skuadrat e kanë siguruar tashmë kualifikimin në fazën e 1/16-ave, por do të luftojnë për vendin e parë në grup.

Megjithatë, e ardhmja e yllit francez vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në tregun e transferimeve. Olise mbetet një nga objektivat kryesorë të Real Madridit dhe disa prej klubeve më të mëdha evropiane.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, Bayern Munich është i vendosur të mbajë në skuadër futbollistin që u shpall lojtari më i mirë i Bundesligës për sezonin 2025/26. Klubi bavarez po përgatit një ofertë të re për rinovimin e kontratës së tij deri në vitin 2031, duke i dyfishuar pagën aktuale në rreth 25 milionë euro në sezon.

Gazetari Julian Agardi i Bild raporton se drejtuesit e Bayernit kanë marrë sinjale pozitive nga rrethi i lojtarit, të cilat tregojnë se Olise është i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin me kampionët e Gjermanisë. Kontrata aktuale e sulmuesit skadon në vitin 2029, ndërsa bisedimet për marrëveshjen e re pritet të zhvillohen pas përfundimit të Kupës së Botës.

Olise ka qenë një nga figurat kyçe të Bayernit gjatë sezonit të fundit, së bashku me Harry Kane, ndërsa po vazhdon të tregojë formë të shkëlqyer edhe me fanellën e Francës në Botërorin 2026.

Top Channel