Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj, zhvilloi sot takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i udhëhequr nga Yan Sun.
Ky mision filloi në datë 7 qershor dhe përfundoi ditën e sotme. Gjatë misionit u diskutuan çështje të rëndësishme të financave publike dhe ekonomisë së vendit.
Denaj u shpreh se financat publike në vend kanë ecur sipas parashikimeve të qeverisë:
“Ecuria tërësore e financave publike ka vijuar të qëndrojë brenda parashikimeve të bëra nga qeveria shqiptare për këtë vit, si një vit i rimëkëmbjes dhe vaksinimit”.
Më tej, u diskutua për zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, financat publike, kryesisht mbi pritshmëritë fiskale, mbi realizimin e parametrave buxhetore të këtij viti dhe pritshmëritë për elementët kryesorë të buxhetit të periudhës afatmesme.
“Pas tremujorit të fundit të vitit 2020, ku rritja ekonomike u rikthye në trendin pozitiv, gjatë vitit 2021 ekonomia vlerësohet të ketë ecur në linjë me parashikimet fillestare, me një rritje vjetore prej rreth 5.5%. Statistikat e ekonomisë tregojnë për një trend të qartë, të fortë rritës të besimit dhe perceptimit të agjentëve ekonomikë për ecurinë e aktivitetit ekonomik si dhe pritshmëritë e tyre në të ardhmen e afërt. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ruan një parashikim të përafërt në rreth 5.3% të rritjes”.
Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat gjatë 5-mujorit të parë të vitit kanë qenë rreth 20% më shumë se sa një vit më parë, dhe madje dhe rreth 2.5% mbi planin e periudhës.
Qeveria Shqiptare ka përmirësuar procedurat e rimbursimit të TVSHsë, ku edhe gjatë vitit të pandemisë janë rimbursuar rreth 16. 5 miliardë lekë. Angazhimi i Qeverisë është që procesi i rimbursimit të TVSH-së të jetë automatik prej vitit 2023, thuhet në njoftimin për shtyp.
Top Channel