Një ditë para votimit në OKB të Shqipërisë si anëtare në Këshillin e Sigurimit, Xhaçka: Pritshmëritë janë modeste, por ambiciet e larta

10/06/2021 17:38

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka po zhvillon një vizitë pune në Nju Jork pak ditë përpara votimit në Asamblenë e Përgjithshme të kandidaturës së Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Gjatë kësaj vizite ajo është pritur nga përfaqësuesit e përhershëm të 5 vendeve anëtare me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, me përfaqësuesit e përhershëm të atyre vendeve që për dy vitet e ardhshme do shërbejnë në Këshill së bashku me Shqipërinë, si dhe me një numër përfaqësuesish të përhershëm të vendeve të tjera.

Ministrja Xhaçka ka pasur një takim virtual me përfaqësuesen e përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Linda Tomas Greenfield, e cila ndodhej për vizitë pune në Washington, me përfaqësuesen e përhershme në OKB të Britanisë së Madhe, Barbara Woodward dhe atë të Rusisë, Vasili Nebenzya.

Sot ajo do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e përhershëm të Francës dhe Kinës, gjithashtu pjesë e 5 anëtarëve të përhershëm të OKB.

Ministrja Xhaçka ka njoftuar bashkëbiseduesit se Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të drejtat e njeriut, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, ndryshimet e klimës dhe ndikimi negativ në çështjet e sigurisë, si dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit do jenë prioritetet kryesore të punës së Shqipërisë, që reflektojnë dhe prioritetet e OKB-së.
“Pritshmëritë janë modeste, por ambiciet janë të larta. Shpresojmë që vendi të sjellë një kontribut pozitiv në diskutimet e KS”, tha ministrja gjatë takimeve.

Një vëmendje e veçantë gjatë agjendës së kryediplomates shqiptare i është kushtuar edhe grave ambasadore, me të cilat ministrja Xhaçka ka ndarë mendime mbi prioritetin kryesor të Shqipërisë: gruaja, paqja dhe siguria.

Grupi i Evropës Lindore, ku bën pjesë edhe vendi ynë, ka pranuar që Shqipëria të jetë kandidaturë e vetme e këtij rajoni si anëtare jo e përhershme e Këshillit për periudhën 2022 – 2023, duke e bërë të sigurtë zgjedhjen e vendit tonë në këtë detyrë.

“Konsensusi i qartë në parim ndaj kësaj kandidature është shprehje e pritshmërisë se, Shqipëria mund të luajë një rol konstruktiv dhe do të ndihmojë në gjetjen e ekuilibrave në një Këshill me pozicione të ndara”, nënvizoi ministrja gjatë takimeve me përfaqësues të këtyre vendeve.

FOTO GALERI
10/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA