FOTO/ Votoi apo jo për shkarkimin e ish aleatit të tij? Rama largohet “sa hap mbyll sytë” nga Kuvendi

09/06/2021 12:40

Ndonëse kishte kohën më të madhe në dispozicion për të folur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama ka folur vetëm 2 minuta në foltore dhe është larguar nga Kuvendi.

Në pamje duket momenti që Rama del nga seanca dhe futet në makinë për tu larguar nga ambientet e Kuvendit. Mbetet e paqartë nëse kryeministri votoi apo jo për shkarkimin e ish aletatit të tij Ilir Meta, për të cilin tha se ka turpëruar Shqipërinë në marrëdhënien me SHBA-në.

Kryeministri ishte në një vizitë në Sofje dhe udhëtoi drejt Shqipërisë mëngjesin e sotëm për të mbërritur në Kuvend, ku sot do të vendoset nëse do të shkarkohet apo jo Presidenti Meta.

Në këtë përballje finale me Ilir Metën socialistëve u duhen 94 vota të cilat të vetëm nuk i kanë. Me interes numri total i votave pro shkarkimit, që do të prodhohen nga ky votim. Kujtojmë se Ilir Meta ka shprehur vendosmëri në qëndrimin në presidencë deri në korrik 2022.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama tha: “Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit, ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me SHBA, ka zhgarravitur fytyrën e Shqipërisë në marrëdhënie me përfaqësuesit e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, prandaj ky parlament sot do të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90% të qytetarëve. Meta ka mbaruar punë dhe fjalët për të si president kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me votë.”

Kujtojmë se në raportin final të Komisionit Hetimor, shkeljet e kushtetutës nga presidenti, thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel