“Demokracia është në rrezik”, paralajmëron Presidenti Biden në Ditën e të Rënëve

31/05/2021 22:53

“Demokracia është në rrezik në këtë vend dhe në mbarë botën,” tha Presidenti Joe Biden në një paralajmërim që bëri të hënën gjatë fjalimit me rastin e Ditës së të Rënëve.

Presidenti i bëri komentet pasi ai, Nënpresidentja Kamala Harris dhe zyrtarët më të lartë ushtarakë amerikanë nderuan të rënët gjatë një ceremonie në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Ditën Përkujtimore të Shteteve të Bashkuara dedikuar kujtimit të atyre që u flijuan në lufra në shërbim të vendit.

“Ato që bëjmë tani, mënyra se si i nderojmë të rënët, do të përcaktojë nëse demokacia do të mbijetojë,” tha presidenti, siç duket duke iu referuar sulmit të 6 janarit në Kapitol nga përkrahës të ish-Presidentit Trump që po përpiqeshin të bllokonin çertifikimin e fitores së zotit Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Të premten republikanët në Senat bllokuan një propozim të miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve për të ngritur një komision dypartiak për të hetuar ngjarjet e 6 janarit.

Zoti Biden, siç ka bërë edhe herë të tjera, foli për betejën për “shpirtin e Amerikës” që “mbahet gjallë nga përplasja e instikteve tona më të këqija, siç e kemi parë kohët e fundit, dhe engjëjve tanë më të mirë”.

Ndërkohë që vendi kremton këtë ditë të shënuar, presidenti foli edhe për “të drejtën për të votuar lirisht, pa ndikim dhe pa pengesa”.

Disa orë para fjalimit të presidentit, demokratët dolën nga salla e Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit të Teksasit për të mos lejuar që republikanët të miratonin një ligj që do të krijonte pengesa të reja ndaj votës në shtetin e dytë më të madh amerikan.

“E drejta për të votuar, e drejta për të arritur sukses në bazë të talentit që ke, pa u kufizuar nga pengesat e privilegjit apo pushtetit, këto janë parimet e demokracië,” tha zoti Biden.

Në fjalimin e tij 22 minutësh në nderim të të rënëve, pressidenti i bëri gjithashtu thirrje medias të punojë për të përcjellë “të vërtetën, bazuar tek faktet dhe jo propaganda”.

Më parë gjatë ceremonisë e kishin marrë fjalën Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Gjenerali Mark Milley, shefi i shtatmadhorisë.

Një ditë më parë, në shtetin e tij Delauer, presidenti foli para një grupi me veteranë dhe familje të të rënëve.

“Duhet të kujtojmë çmimin që u pagua për liritë që gëzojmë,” tha Presidenti Biden të dielën para një grupi me veteranë e familjarët e disa të rënëve në luftra. “Duhet të kujtojmë detyrimin që kemi ndaj atyre që e paguan këtë çmim, si dhe ndaj familjeve që kanë lënë pas. Zemrat tona thyhen nga dhimbja”.

Komentet e presidentit përkojnë me gjashtë vjetorin e vdekjes së djalit të tij, Beau, i cili ishte major në Gardën Kombëtare të shtetit Delauer, si dhe pat kryer shërbim aktiv ushtarak dhe ishte i dislokuar për një periudhë edhe në Irak, para se të vdiste nga kanceri në 2015.

“E di sa peshon dhimbja e humbjes. E di zgavrën e zezë që lë në mes të kraharorit. Të duket sikur të tërheq brenda e nuk mund të dalësh më,” tha ai.

“Por përveç dhimbjes, kam të qartë edhe krenarinë që ndjeni për njerëzit e dashur që i humbët kur po i shërbenin vendit; krenari për trimërinë që treguan në shërbim të këtij eksperimenti të madh amerikan,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara shënojnë Ditën e të Rënëve të hënën e fundit të majit, për të nderuar të rënët që nga Lufta Civile që përfundoi në 1868.

Kjo ditë e shënuar kombëtare shoqërohet me vendosjen e flamujve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit si dhe në varrezat e të rënëve në mbarë vendin.

Fundjava e fundit e majit shënon edhe fillimin e aktiviteteve verore, kur shumë pika pushimi hapin biznesin. Trafiku rrugor dhe ajror intensifikohet ndjeshëm në fund të majit.

Mbi 1.8 milionë vetë kaluan nëpër aeroportet amerikane të enjten dhe të premten, sipas Administratës për Sigurinë e Transportit. Kompania e shërbimeve për udhëtimet AAA parashikon një rritje prej 60% të udhëtimeve nga maji 2020 kur ishin në zbatim masa të forta izoluese dhe nuk kishte filluar ende vaksinimi./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA