Komunikimi i vazhdueshëm, shprehja e dashurisë, sakrificat e bëra gjithë kohën janë faktorët kyç që mbajnë të bashkuar e tepër të lidhur një familje të madhe. I tillë ishte dhe rasti i Dashmirit që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, i cili ardhjen e tij në emision ia kishte dedikuar pikërisht dashurisë së jetës.
Dashmiri para shumë vitesh kishte vendosur që të martohej, një martesë nga e cila kishte sjellë në jetë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Problemet e mëdha ekonomike i kishin detyruar familjen e Dashmirit që të përballeshin me vështirësi nga më të ndryshmet ku një ndër to ishte sigurimi i një banese për të jetuar. Stresi, shqetëimet dhe gjithë emocionet e shkaktuara nga gjithë kjo gjendje e vështirë sollën si rezultat komplikacione të shumta në shëndetin e bashkëshortes së tij, e cila kishte ndërruar jetë nga një atak kardiak i papritur.
Kohë më vonë Dashmiri kishte njohur dhe kishte rënë në dashuri me Pëllumbeshën me të cilën ishte martuar dhe kishin sjellë në jetë dy fëmijë. Si një heroinë e vërtetë, Pëllumbesha ishte kujdesur gjatë gjithë këtyre viteve jo vetëm për dy fëmijët por edhe për fëmijët e bashkëshortit të saj, duke mos i diferencuar kurrë nga njëri-tjetri. Pavarësisht problemeve të mëdha ekonomike, Dashmiri dhe Pëllumbesha nuk kishin pasur kurrë mosmarrëveshje me njëri- tjetrin, dhe kishin krijuar një familje të madhe që nuk është ndarë kurrë.
Për këtë arsye Dashmiri kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të surprizuar, por dhe për ta falenderuar Pëllumbeshën për çdo sakrificë të bërë deri më sot, të cilës ju drejtua me këto fjalë zemre: Të dua pafund! Ti je jeta ime se ne të dy kemi vuajtur shumë. Të faleminderit që më rrite fëmijët, e që u kujdese për familjen tonë. Të faleminderit për çdo sakrificë. Unë jam krenar për ty!
Nga ana tjetër e studios, Pëllumbesha e përlotur tregoi se si dashuria e madhe që ka për fëmijët dhe bashkëshortin e saj është kthyer në motivin kryesor për të luftuar çdo vështirësi dhe problem që i përball jeta.
Në fund, surprizë për Pëllumbeshën ishte djali i Dashmirit të cilin ajo e kishte rritur që të vogël, duke u kujdesur për të për më shumë se 20 vite. “Faleminderit që më rrite dhe që u bërë një nënë e dytë për mua!”,- ishte mesazhi i veçantë i djalit të Dashmirit për Pëllumbeshën.
Top Channel